Vendet e Ballkanit Perëndimor – veçanërisht Serbia dhe Kosova – po i shikojnë me vëmendje zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit në SHBA. Çfarë ndikimi do të ketë rezultati i zgjedhjeve në këtë cep të Europës Juglindore? Më 23 shtator, djali i Donald Trump, Donald Jr., u shoqërua nga biznesmenë serbë në Beograd për të diskutuar mundësitë e investimeve. Kjo nuk ishte hera e parë për familjen Trump: kontaktet e ish-presidentit me sipërmarrës dhe përfaqësues të qeverisë filluan që në vitin 2013. Në atë kohë, Ivica Daçiq, atëherë kryeministër i Serbisë, foli publikisht për interesimin e Trump në një projekt për patundshmëri. Objekti në fjalë ishte ish selia e Ushtrisë Popullore Jugosllave, e cila u dëmtua rëndë gjatë bombardimet e NATO-s të vitit 1999. Por negociatat dështuan.
Por, në maj të këtij viti, dhëndri i Trump, Jared Kushner, i udhëhequr nga ish-ambasadori amerikan në Gjermani, Richard Grenell, vulosi marrëveshjen. Kontrata në vlerë prej një miliard dollarësh përfshin një qira 99-vjeçare të kompleksit. Grenell shihet si një kandidat i mundshëm për postin e Sekretarit të Shtetit nëse Trump fiton zgjedhjet presidenciale në nëntor. Ai është konsideruar si ambasadori më i papëlqyer i SHBA-së në Gjermaninë e pas-luftës. Gazeta e përditshme zvicerane Neue Zürcher Zeitung (NZZ) shkoi aq larg sa e quajti atë “jodiplomatik” për shkak të “sjelljes së tij të neveritshme”. Donald Trump Jr së fundmi e vlerësoi Grenell si “kandidatin kryesor për postin e sekretarit të shtetit”.
Kursi i dështuar ballkanik i Trump 2020
Grenelli, si i dërguar i posaçëm i Trump për Ballkanin, “tërhiqte fijet e marionetave” në vitin 2020 kur kryeministri i Kosovës Albin Kurti u rrëzua për shkak se ai qëndroi në rrugën e një marrëveshjeje tjetër. Marrëveshja në fjalë dyshohet se kishte të bënte me një shkëmbim territorial përgjatë vijave etnike ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Në qershor 2020, presidenti i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, donin të takoheshin me Trump në Shtëpinë e Bardhë për të nënshkruar marrëveshjen.
Sipas raporteve, marrëveshja do të kishte lejuar që katër komunitetet me shumicë etnike serbe në veri të Kosovës të bëhen pjesë e Serbisë. Në këmbim, Lugina e Preshevës me shumicë shqiptare etnike në Serbinë jugore do të ishte bërë pjesë e Kosovës. Një shkëmbim territorial si ky mund të kishte një efekt domino në rajon, sepse shtetet e Ballkanit Perëndimor janë të gjitha ende kryesisht multietnike.
Lidhje të ngushta Trump-Serbi
Udhëheqësi i Republika Srpska në Bosne dhe Hercegovinë, Milorad Dodik kishte kërcënuar se nëse do të bëhej një shkëmbin territorial, Republika Srpska do t’i bashkohej Serbisë. Ky shkëmbin do të mund të sillte një “luftë të re ballkanike”. Rishikimi etnik i kufijve ka potencial të madh për konflikt. Por planet e Trumpit u prishën nga një aktakuzë kundër Presidentit Presidentit Thaçi nga Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë. Thaçi u vetë-dorëzua në gjykatë.
Ndërkohë, popullariteti i qëndrueshëm i Grenellit në Serbi ilustrohet nga fakti se Marko Gjuriq, ish-ambasadori i Serbisë në SHBA, dhe tashmë ministëri i punëve të jashtme të Serbisë, kohët e fundit tha se Grenell ishte “pa dyshim miku i Serbisë”.
Në vitin 2023, presidenti Vuçiç i dorëzoi Grenellit urdhrin më të lartë të vendit si njohje e avokimit të tij për Serbinë, duke e arsyetuar vendimin e tij duke thënë se: “Unë mendoj se ai është një nga njerëzit e paktë nga SHBA që ka një qasje të ekuilibruar ndaj Kosovës”.
Çfarë do të thotë një fitore e Harris për rajonin?
Qëndrimi pro-serb i Trump lë të kuptohet se çfarë mund të presë Ballkani Perëndimor nëse republikani do të kthehej në Zyrën Ovale në nëntor. Linja e ndjekur nga kandidatja e Partisë Demokratike Kamala Harris, nga ana tjetër, nuk ka qenë deri më tani aq e qartë. Megjithatë, disa përfundime mund të nxirren në bazë të të kaluarës së saj personale dhe pikëpamjeve të politikës së jashtme.
Është e pagjasshme që Harris të favorizojë nacionalistët serbë apo ndojnë grup etnonacionalist tjetër. Përveç kësaj, qëndrimi pro-ukrainas i Harris është i dokumentuar. Është e mundur që presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e ka paralajmëruar atë për planet e supozuara të Moskës për të destabilizuar Ballkanin ose për të hapur fronte të reja atje me ndihmën e nacionalistëve irredentistë serbë pro-Moskë. Lidhjet e ngushta midis Beogradit dhe Moskës mund ta shtyjnë Harrisin të ndryshojë kursin e Amerikës.
Edward Joseph, një studiues i konflikteve në Universitetin e njohur Johns Hopkins, kritikoi kohët e fundit se administrata e Biden-it po bëhej me Serbinë. Ai tha gjithashtu se Vuçiq e ka zhvendosur orientimin e Beogradit si kurrë më parë kah lindja dhe se nuk ka asnjë arsye pse Harris, nëse zgjidhet, të vazhdojë politikën e pasuksesshme të Bidenit. Ish-diplomati amerikan Shaun Byrnes mbajti të njëjtën linjë, duke rekomanduar se SHBA duhet të jetë “më e ashpër me Serbinë, sepse ajo vazhdon të ketë një qasje armiqësore ndaj Kosovës”.
‘Fantazia diplomatike’ e Bidenit në Ballkan
Daniel Serwer, një diplomat i vjetër që ka punuar me Richard Holbrooke, arkitektin e Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit, e ka përshkruar politikën e Bidenit për Ballkanin si “fantazi diplomatike”. Në sytë e Serwer, për të ndërtuar Vuçiqin, që kishte qenë ministër propagande në kohën e Slobodan Millosheviçit në vitet 1990, si një spirancë stabiliteti ishte shumë larg realitetit.
Vizitat e shpeshta në Moskë nga aleati i Vuçiqit dhe zëvendëskryeministri serb Aleksandar Vulin, i cili së fundmi siguroi personalisht presidentin rus Vladimir Putin se Serbia është “partneri dhe aleati strategjik i Rusisë”, vë në dyshim politikën e SHBA-së për Ballkanin. Aktivitetet e anëtarëve të rrethit të Trump në Beograd kanë treguar se nëse ish-presidenti rizgjedh në nëntor, objektivat ekonomike do të jenë në ballë të politikës së Amerikës për Ballkanin Perëndimor në të ardhmen. Fakti që presidenti i Serbisë Vuçiq ka marrëdhënie të shkëlqyera me Putinin, i shkon për shtat Trumpit deri në fund.
Shqetësimet për një administratë të dytë të mundshme të Trump
Megjithatë, për Ukrainën, Bosnje-Hercegovinën, Kosovën dhe Malin e Zi, e gjithë kjo është alarmante. Sepse, megjithëse Bosnja dhe Kosova janë dy shtete qartësisht pro-amerikane, pro-perëndimore me popullsi shumicë myslimane, ato nuk mund të mbështeten automatikisht në mbrojtjen e SHBA-së kundër dëshirave ekspansioniste të Serbisë nëse Trump rizgjedhët si president.
Trump ka treguar në të kaluarën se nuk ka asnjë problem t’i lërë aleatët, nëse kjo i përshtatet agjendës së tij. Për shembull, Në dhjetor 2018, ai njoftoi se do të tërhiqte shumicën e trupave amerikane nga Siria. Duke vepruar kështu, ai tradhtoi kurdët, të cilët kishin bërë shumicën e luftimeve në terren në betejën kundër Shtetit Islamik (IS). Kjo tradhti e aleatëve bëri që Sekretari i atëhershëm i Mbrojtjes i SHBA-së, James Mattis, të jepte dorëheqje.
Para se të dështonte marrëveshja e shkëmbimit territorial, Serbi-Kosovë, Trump e kishte kërcënuar kryeministrin e Kosovës Albin Kurti në disa raste se do të tërhiqte trupat amerikane nga Kosova. Prania e këtyre trupave shihet si një politikë jetësore për sigurinë Kosovën, pavarësinë e së cilës Serbia nuk e njeh. Është e diskutueshme nëse trupat e KFOR-it të NATO-s mund të garantojnë sigurinë e Kosovës pa amerikanët. Por, administrata Biden duket se ka marrë të paktën një masë paraprake në këtë drejtim: SHBA-ja e ka furnizuar Kosovën me 250 raketa antitank Javelin, nga ato që ka dërguar edhe në Ukrainë. Edhe Turqia e ka furnizuar Kosovën me dronët e saj Bayraktar. Pa këto dy sisteme armësh, Ukraina nuk do të ekzistonte më si shtet i pavarur. Por ndryshe nga Serbia, që karreth 250 tanke lufte, Kosova nuk ka asnjë. Pra, numri i raketave antitank të furnizuara nga SHBA-ja sigurisht nuk ishte rastësi.
Alexander Rhotert është politolog dhe autor. Studiues i ish-Jugosllavisë që nga viti 1991, ai ka punuar për OKB-në, NATO-n, OSBE-në dhe Zyrën e Përfaqësuesit të Lartë (OHR) në Bosnje dhe Hercegovinë, ndër organizata të tjera.
Discussion about this post