Drejtorët që morën postet pasi ujësjellësit kaluan në varësinë e Belinda Ballukut po i zhysin shoqëritë në borxhe duke i bërë paratë “rrush e kumbulla”. Kështu Ujësjellësi Durrës, që drejtohet nga Sedi Çaushi, do të blejë 80 milionë lekë vizore plastike, zarfe, letra dhe dosje. Përse duhet kaq shumë kanceleri, kur tani çdo gjë bëhet me kompiuter?
Ky administrator ia ka kaluar për harxhime edhe paraardhësit Spartak Kovaçi, që ishte i shquar për tenderat korruptivë. Në vitin 2023, Shoqëria Rajonale e Ujësjellësit Durrës ka blerë 40 milionë lekë mjete kancelerie dhe tenderin e fitoi InfoSoft Office.
Ndërsa, një vit më pas, Çaushi e dyfishon fondin limit.
Është e qartë se janë po ato zyra dhe të njëjtat nevoja, por është rritur oreksi për përvetësimin e këtyre fondeve.
Prej kohësh ujësjellësi i Durrësit dhe të tjerë kanë kaluar në varësin e Ministrisë së Infrastrukturës, që mori përsipër t’i shpëtonte nga falimentimi. Në fakt, ky keqmenaxhim do të sjellë edhe më shumë probleme financiare në të ardhmen.
Ndërkohë shohim që edhe zarfet, i besuari i Ballukut i blen në shkelje të ligjit mbi prokurimet dhe i xhiron paratë në duart e të njëjtit oligark, si vitet e kaluara. Fillimisht Çaushi ka hapur një garë për këtë tender, ku kanë shfaqur interes 4 kompani. Duken mjaftueshëm që procedurat e mëtejshme të vazhdonin sipas rregullave dhe të garantohej konkurrencë.
Por shohim se 3 prej ofertave janë përjashtuar menjëherë. IT GJERGJI KOMPJUTER SH.P. K me ofertë 59 milionë lekë dhe LIBRARI DYRRAHU me ofertë 60 milionë lekë duhej të ishin marrë në konsideratë, por nuk u kualifikuan për mungesë dokumentacionesh, për të njëjtën arsye u fshi edhe oferta tjetër.
I pari u skualifikua se nuk kishte vulë në autorizimin e prodhuesit, i dyti “Nuk ka paraqitur ISO 9706 ose ekuivalente te prodhuesit për produktin e kërkuar”.
Prokurimi duket si një fasadë, sepse fondi i është premtuar më parë firmës “InfoSoft Office” me ofertë 77 milionë lekë. Në këtë tender pa kuptim fiton oferta më e shtrenjtë! Më datë 18 tetor 2024 është bërë publike kontrata e nxirë nga shkeljet që përmendëm më sipër.
Open Data Albania i ka vendosur tenderit “Flamurin e Kuq” që është shenja e riskut të korrupsionit. “Skualifikim i të gjithë operatoreve konkurrues përveç fituesit”, ky është përshkrimi i vendosur nga monitoruesi i pavarur i prokurimeve.
Nuk mund të jetë më paradoksale se kaq një situatë, ku edhe vizoret plastike blihen përmes një afere korruptive.
Skandalet e Grigor Jotit
Ndërsa duam të shtojmë si një fakt të rëndësishme që paratë po përfundojnë në duart e biznesmenit që kanë krijuar monopol në treg. Firma InfoSoft Office është themeluar nga biznesmeni Grigor Joti, ndërsa tani është nën zotërimin e Frederik Prodanit – 50% dhe DOBI MANAGEMENT –, kjo e fundit është në pronësi të Grigor Jotit dhe të Gëzim Dobit. Me pak fjalë strumbullari është Joti.
Kujtojmë se në vitin 2022, ndaj Grigor Jotit pati akuzë penale për vjedhjen me anë të mashtrimit të 4.5 milionë Euro TVSH me fatura false.
Asaj kohe, Prokurori i Tiranës, Bledar Valikaj e dërgoi dosjen për gjykim qysh më 1 mars 2022.
Por shefat e Gjykatës së Tiranës nuk e dorëzuan për nisje procedure e vendim te Dhoma Penale, me qëllimin e vetëm që të kalohej afati ligjor dhe çështja të pushohej. Ndërkohë që 143 dosje pas saj u shqyrtuan dhe u futën në proces gjykimi. Sidoqoftë, nuk pati vendim pafajësie, por pushim për arsye procedurale.
Konkretisht, bëhet fjalë për dosjen “Çështja Penale Nr. 828.2020”, në ngarkim të grupit “Joti” që ka vjedhur 4.5 milionë Euro, me lëshim faturash tatimore false për TVSH e shitjes së cigareve.
Këto fatura, janë lëshuar nga dy bizneset fantazma “Inter Distribution Services” dhe “INTER TRADE& DISTRIBUTION” të oligarkut Grigor Joti.
Këto kompani në vitin 2021 janë kallëzuar penalisht nga KLSH edhe për çokollatat dhe akulloret e importit me etiketa false, të skaduara dhe me substanca kimike të rrezikshme.
Oligarku Joti ia ka hedhur paq me drejtësinë dhe vazhdon të gllabërojë fondet publike i favorizuar nga zyrtarët e korruptuar.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post