Edhe tek ushqimi për qentë endacakë ndërhyn Erion Veliaj, duke i çuar paratë tek miku i tij Albert Metani. Pasi i rrotulloi drejtorët për ngatërruar hetimet e SPAK-ut, Veliaj vendosi në krye të Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit Blerta Dardhën e cila zëvendësoi drejtorin milioner Arli Naska. Dhe është kjo agjenci që merret me kujdesin ndaj qenëve endacakë, një nga detyrat kryesore.
Është ngritur shpesh si problem në media që bashkia i eliminonte natën qentë endacakë, ose i linte të pavaksinuar. Por, me ngritjen e Strehëzës së Kafshëve fondet për këtë qëllim janë rritur.
Tenderi i mëposhtëm tregon se sa shumë lekë harxhohen në emër të kujdesit ndaj kafshëve.
Më datë 9 tetor 2024, Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit, në varësi të Bashkisë Tiranë, ka shpallur të hapur garën për prokurimin me objekt “ Blerje ushqim për Kafshët Endacake”. Për këtë është vënë në dispozicion fondi me vlerë 105 milionë lekë, ndërsa para që do të merren nga buxhetet e dy viteve të ardhshme. Me këto fond që shërben për furnizimin me 1 vit, do të blihen dy lloje ushqimesh kokërr.
Afati për dorëzimin e ofertave ka qenë deri më datë 24 tetor, ku tregohet se kanë shfaqur interes 3 kompani.
Gjithsesi Agjencia e Mbrojtjes nga konsumatori duket se ka vepruar sipas direktivave të kryetarit, i cili nuk i ka qejf garat. Pra, çdo gjë ishte vendosur më parë dhe fituesi i piketuar ishte “METANI” shpk. Ndërsa ofertat e dy firmave “AGRO-KORANI” Shpk dhe Pet Eat” shpk janë skualifikuar që në fazën e parë me argumentin se nuk përmbushin kriteret e veçantë të tenderit. Të dy firmat kishin oferta më të ulëta me vlera 79 dhe 87 milionë lekë. Por, kursimi i fondit limit nuk ishte prioritet i këtij tenderi.
Duke shkelur rregullat që dikton ligji për prokurimet Agjencia e Mbrojtjes nga Konsumatori më datë 6 nëntor publikoi kontratën me fitues firmën METANI, në pronësi të Albert Metanit. Tenderi mban “Flamuj të kuq” të vendosur nga Open Data Albania, për të treguar riskun e korrupsionit.
Në krah të flamurit është vendosur përshkrimi “Skualifikim i të gjithë operatoreve konkurrues përveç fituesit”.
Përgjegjësi për këtë mban edhe drejtorja aktuale e agjencisë Blerta Dardha e cila është emëruar më 25 tetor, pra një dite pas përfundimit të garës, çka do të thotë që ka qenë dakord me zhvillimin e procedurave në kundërshtim e ligjin dhe ka aprovuar publikimin e kontratës.
Ky rast nuk është përjashtim, sepse Veliaj ka bashkëpunime të shumta me biznesmenin Albert Metani duke e favorizuar në tenderat e bashkisë.
Bashkia i keqtrajton qentë endacak
Sikur cekëm pak në fillim çdo gjë është propagandë virtuale, sepse në terren ndodh e kundërta qentë endacakë. Kujtojmë se një vit më parë Shoqata Animal Resurce Albania, ka treguar me pamje gjendjen që lë për të dëshiruar, në të cilën ndodhen qentë në strehën e Bashkisë Tiranë.
Sipas Aarsalbania, në këtë vend, veterinerët e Bashkisë Tiranë po i vrasin qentë e kryeqytetit duke i lënë pa ushqim, pa kujdes mjekësor e duke i lënë të ngordhin të mbuluar nga feçet e tyre nën shoqërinë e mizave që i hanë të gjallë. Arsalbania i bënte thirrje Agjencisë për Mbrojtjen e Konsumatorit që brenda 24 orëve të reagonte dhe këtë situatë skandaloze ta raportonte tek Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë i cili duhet të marrë masa.
Ndër të tjera, i bëhej thirrje edhe Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural që të vepronte menjëherë në marrjen e masave konkrete dhe të mbyllë aktivitetin e strehës së Bashkisë Tiranë.
Pasi po shkakton një situatë epidemie tepër të rëndë e cila po përhapet dhe në klinika e spitale të tjera ku çohen kafshët e sëmura për t’u kuruar dhe mund të infektojë qentë dhe pronarët e tyre.
Por edhe sot që flasim nuk ka përmirësime, pasi Arsalbania pak ditë më parë ka denoncuar se shtëpizat e ndërtuara nga bashkia për qentë endacakë nuk janë në kushte të mira për të qëndruar gjatë stinës së dimrit!
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016
Discussion about this post