Këshilli i Ministrave ka përcaktuar në mbledhjen e sotme kushtet për azilantët e huaj në vendin tonë. Azilantët e huaj do të strehohen në Qendrën e Pritjes për Azil ku do të përfitojnë shërbim të kujdes social. Ata duhet të respektojnë rregullat e jetesës në ambientet e institucionit ku do të strehohen sipas një rregulloreje të brendshme. Me udhëzimin e ministrit përgjegjës do të përcaktohen kuotat për shpenzimet ditore të kërkuesit të mbrojtjes ndërkombëtare.
Në vendim thuhet:
1. Kërkuesit për mbrojtje ndërkombëtare, që strehohet në Qendrën e Pritjes për Azil, i garantohet ofrimi i shërbimit bazuar në parime të njohura të kujdesit social, si: respektimi dhe garantimi i vlerave dhe i personalitetit të individit, transparenca dhe paanshmëria, mosdiskriminimi, pavarësia, integrimi shoqëror dhe pjesëmarrja në jetën e komunitetit, konfidencialiteti dhe mbrojtja e të dhënave personale.
2. Për trajtimin e kërkuesve të mbrojtjes ndërkombëtare në Qendrën e Pritjes për Azil zbatohen standardet e shërbimeve të përkujdesjes shoqërore, që mbështeten në paketën e standardeve të përgjithshme të shërbimeve, sipas legjislacionit në fuqi.
3. Kërkuesit e mbrojtjes ndërkombëtare respektojnë rregullat e jetesës në ambientet e institucionit strehues, sipas rregullores së tyre të brendshme.
4. Kërkuesit të mbrojtjes ndërkombëtare i ofrohen shërbime parashoqërore, si më poshtë vijon:
a) Informimi dhe këshillimi, të cilat janë shërbime që synojnë përmirësimin e situatës së kërkuesit, duke e orientuar rreth mundësive më të përshtatshme për nevojat e tij, në sistemin e shërbimeve të kujdesit shoqëror;
b) Mbështetja psiko-sociale, e cila ofrohet individualisht ose në grup dhe synon inkurajimin, rehabilitimin, zhvillimin e aftësive njohëse, funksionale, komunikuese apo shoqërore të kërkuesve.
5. Çdo kërkues i mbrojtjes ndërkombëtare i nënshtrohet vlerësimit të nevojave të tij shëndetësore kur pranohet në institucionin strehues.
6. Fëmijët marrin një dietë të shëndetshme, ushqyese dhe të ekuilibruar sipas nevojave të tyre të rritjes e të zhvillimit të nevojave kulturore dhe fetare. Lëngje të shëndetshme sigurohen në çdo kohë dhe ofrohen sipas kërkesës së fëmijëve. Në çdo rast duhet të garantohet këshillimi me mjekun.
7. Institucioni strehues duhet të plotësojë nevojat e domosdoshme për akomodim, duke pasur parasysh grupmoshat, me prioritet fëmijët, fëmijët e pashoqëruar, grupet vulnerable, të cilët kanë nevojë për trajtime të veçanta.
8. Qendra e Pritjes për Azil bashkëpunon me ministrinë përgjegjëse për arsimin, si dhe institucionet e arsimit parauniversitar, duke ndjekur një politikë edukimi, që synon të nxisë dhe të mbështesë edukimin parauniversitar të fëmijëve gjatë gjithë periudhës që ata jetojnë në këto institucione, duke siguruar tekstet e nevojshme shkollore, me qëllim krijimin e kushteve të barabarta për arsim.
9. Niveli i kuotave financiare për shpenzimet ditore të kërkuesit të mbrojtjes ndërkombëtare përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për çështjet sociale, të ministrit përgjegjës për financat dhe të ministrit përgjegjës për azilin e refugjatët. Këto efekte financiare përballohen nga ministria përgjegjëse për azilin dhe refugjatët.
10. Në rast fluksi dhe mungese kapaciteti strehues, ministria përgjegjëse për azilin dhe refugjatët, rast pas rasti, me marrëveshje të përbashkët me ministrinë përgjegjëse për çështjet sociale, strehon kërkuesit e mbrojtjes ndërkombëtare në qendrat rezidenciale publike.
11. Ngarkohen ministria përgjegjëse për azilin dhe refugjatët, ministria përgjegjëse për financat, ministra përgjegjëse për çështjet sociale, ministria përgjegjëse për arsimin, si dhe institucionet e arsimit parauniversitar për zbatimin e këtij vendimi.
Discussion about this post