Nga Ervin Salianji
930 milionë euro ishin remitancat e vitit 2023, të fundit të llogaritura nga Banka e Shqipërisë. 930 milionë euro që emigrantët, bashkatdhetarë i kanë dërguar për të afërmit, familjet e tyre. Një shifër rekord kjo.
Jam i bindur se nuk është vetëm shuma që bën diferencën, por sidomos eficenca me të cilën ato hyjnë në ekonomi, e bën këtë një nga fondet më të vyera, një prej kontributeve më të rëndësishme për vendin.
Sepse ato para shkojnë direkt tek njerëzit, pa ndërmjetës, pa zyrtarë që fusin duart.
Janë para që luftojnë drejtpërdrejt varfërinë dhe futen në ciklin jetik përmes konsumit.
Janë para të pastra, mundi e djerse e qindra mije burrave e grave që megjithë vështirësitë e sfidat që kane atje ku jetojnë, nuk i harrojnë prindërit me pensionin më të ulët në Europë. Nuk e harrojnë një të afërm në hall, në ditë të vështirë.
Eshët pra pak më shumë se 10 perqind e buxhetit të shtetit, fondi që ata sjellin e që shpërndahet në mënyrë të atillë që korrigjon harresat, arrogancën e mungesën e vëmendjes së autoriteteve. Një fond që është si melhem për plagët që krijon qeverisja e keqe dhe korrupsioni.
Më në fund, kjo pjesë vitale e kombit dhe e shoqërisë, do të votojë.
Me shumë vonesë ligjvënësi, beri detyrën dhe e jetësoi të drejtën kushtetuese që ata e kanë. Personalisht kam qenë pro gjithnjë dhe avokues i votës së emigrantëve. Dhe jam krenar që në fund të korrikut thashë po, në Parlament, për atë ndryshim në Kodin Zgjedhor.
Janë mbi 1 milionë votues që jetojnë jashtë e mund të behën pjesë e zgjedhjeve të 11 majit. Një shifër që flet vetë për potencialin që ka për të vendosur për fatin e vendit. Një numër që përkon me atë që kryeministri aktual, e valëviste si trofe në vitin 2013, duke i cilësuar si 1 milionë shuplaka. Duke lajmëruar kështu dhunën që do të ishte stili i tij qeverisës.
Vota e emigrantëve është sfida e Opozitës në këtë garë. Me erdhi mirë kur pashë se PD kishte lançuar një portal ku nxiste e ndihmonte në identifikimin e certifikimin e tyre.
Me 11 janar, nis zyrtarisht regjistrimi që do te zgjasë dy muaj. Me një dokument ID të shtetit shqiptar dhe një adresë ku ai jeton, çdo bashkatdhetar bëhet pjesë dhe ushtron të drejtën e tij kushtetuese. Buxheti i shtetit do të mbulojë shpenzimin e postës. Është detyrë e opozitës të insistojë në garancitë e procesit, pasi çdokush në çdo cep të botës e ka dyshimin se vota e tij mund të kapet nga dora e gjatë e rilindjes.
Është e qartë se më i shqetësuari për atë verdikt, është Edi Rama, kjo dhe nga lajmet që raportohen.
Ai e di koston e madhe që ka krijuar me qeverisjen e tij në 3 mandate, dhe kërkon të eksplorojë terrene të reja.
“Nemo profeta in patria”, kanë thënë latinët. Nuk e njohin si profet këtu. I kanë dalë gjithë lëkurët. Dhe shpresën e ka se do ta ripaketojë veten për të mashtruar ata që kanë një distancë, duke dëshiruar që te mos kenë një panoramë të plotë të korrupsionit e lidhjeve të tij me krimin. Unë besoj se do të dështojë. Vota e emigrantëve do të sjellë ndryshimin, për shkak se është e lirë nga kthetrat e qeverisë, nuk e kap dot në listat e ndihmës ekonomike, në borderonë e administratës, në rrjetin e trafikut të interesave, në getot e të fortëve.
Ti që ngrihesh çdo mëngjes ende pa zbardhur, që punon pa ndalim, e kthehesh në shtëpi pa e parë diellin, ti që nuk ke fundjavë se puna me orë të gjata në fabrikë, kantier ndërtimi apo shërbim nuk do që të pushosh, ti që nuk të del koha për kafe, raki, për llafe, ti që robtohesh në Europë, Amerikë e kudo në perëndim për të siguruar atë jetesë e shkollim për fëmijët, ti që në fund të muajit pasi ke paguar me paratë e kësaj sakrifice faturat e renda, megjithatë ndan diçka për babain, nenën, vëllain a motrën, ose një kushëri që është në pamundësi në Shqipëri, ti ke në dorë kësaj radhe të besh dërgesën më të vyer.
Dërgesa e 11 majit do të ndryshojë dhe jetën tënde atje. Sepse nëse ndalet e keqja dhe vjen një qeverisje e mirë, për njerëzit, që e ndan buxhetin si duhet e jo me klientët, që lufton varfërinë e rrit pensionet e mbështetjen për më të pamundurit, kjo do të përmirësoja dhe ditën tende.
Është pikërisht qeverisja e keqe që të bën ty të jesh i shqetësuar për të afërmin tënd. Që të bën të kursesh, të punosh më shumë për të sjellë para këtu. Të privon nga një kënaqësi, sepse ke dikë që po vuan e nuk mbyll dot muajin në Shqipëri.
Eshët krejt e qartë, se me votën për ndryshimin këtu, ke ndryshuar jo pak dhe jetën tënde kudo ku ndodhesh, në Itali, Greqi, Gjermani, Angli.
Ndaj i dashur emigrant, mos e humb këtë rast. Ndihmo familjen, po sidomos ndihmo vendin tënd të dalë nga kriza, të shpëtojë nga gremina e një sundimi që nuk ka asgjë për të dhënë më, përveçse të përsërisë veten në një version edhe më të zi.
Discussion about this post