Zgjedhjet e 11 majit janë diskutuar ditën e sotme në mbledhjen e Komitetit për Punët e Jashtme në Parlamentin Evropian. Raporti i Parlamentit Europian për zgjedhjet u lexua nga eurodeputeti gjerman i CDU Michael Gahler, i cili udhëhoqi dhe misionin vëzhgues në Shqipëri.
Gjatë fjalës së tij, Gahler tha se zgjedhjet u zhvilluan në një ambient të polarizuar politik dhe me avantazhe sistematike për Partinë Socialiste. Më tej në fjalën e vetë, Gahler theksoi se këto zgjedhje patën shumë shqetësime, duke variuar nga amnistia për gjobat e papaguara, bonusi për pensionistët si dhe presioni mbi votuesit.
“Në ditën e zgjedhjeve, delegacioni u nda në tre ekipe duke vëzhguar në qytetet e mëdha, Tiranë, Durrës, Vlorë dhe Elbasan, por edhe në zonat rurale. Në përmbledhje, pikat kryesore janë: zgjedhjet ishin konkurruese, teknikisht të mirëorganizuara, por u zhvilluan në një ambient të polarizuar politik me avantazhe sistematike për partinë në pushtet.
Shqetësimet kryesore që ndikuan në garë përfshijnë: abuzimin me burimet publike, presioni mbi votuesit, veçanërisht punonjësit publikë, keqpërdorimi i aktiviteteve qeveritare siç ishte ‘Giro D’Italia’ për qëllime elektorale, qeveria shpalli një amnisti të minutës së fundit për gjobat e papaguara nga qytetarët, një lëvizje që perceptohet si blerje votash, në prill pati një bonus për pensionistët që morën 100 euro secili, një muaj para zgjedhjeve, diçka që konsiderohet me ndikim,” tha Gahler.
Duke folur për votën e diasporës, Gahler theksoi se pati probleme teknike dhe logjistike me votat e Greqisë nga kompania DHL. Ndërkohë që duke folur në lidhje me zgjedhjet në Shqipëri, theksoi se raporti përfundimtar do të publikohet në fillim të muajit korrik.
Delegacioni i Parlamentit Europian mbështet plotësisht konkluzionet e OSBE/ODIHR dhe thekson se duhet një reformë e plotë zgjedhore. Parlamenti i ri duhet të kalojë këtë reformë. Ajo do dërgojë një mesazh të rëndësishëm për BE-në, por edhe për rajonin. Delegacioni ynë është i gatshëm të ndihmojë Shqipërinë në të gjitha fushat e ekspertizës tonë për ndërtim kapacitetesh apo ndërmjetësim mes partive. Ne po presim raportin përfundimtar në fillim të korrikut.
Do ketë rekomandime shtesë dhe shpresoj, dhe kjo është ajo që themi në të gjitha vendet, se rekomandimet dhe miratimi i tyre do kenë një konsensus të gjerë dhe të mos ketë përjashtime. Për më shumë, mendoj se ajo që kemi vëzhguar dhe dëgjuar si vëzhgues afatshkurtër nga vëzhguesit afatgjatë, sidomos në Elbasan, ata flasin për disa struktura që janë përfshirë në devijimin e votave në një drejtim, por kjo shkon përtej mandatit të vëzhguesve të zgjedhjeve. Kjo gjë ka ndikim në situatën e përgjithshme dhe duhet adresuar,” tha Gahler.
Por në fund të diskutimeve, Gahler bëri një paralajmërim të frikshëm. Ai tha se strukturat kriminale në Shqipëri nuk e duan ndryshimin e pushtetit.
“Diçka tjetër që nuk është e lidhur direkt me zgjedhjet, por që ne nuk mund të bëjmë një sy qorr për këtë, është sigurisht fakti që në këtë vend- dhe kjo është e rëndësishme për integrimin në Europë- ka struktura të qëndrueshme kriminale në vazhdim, që në një shkallë të madhe janë të angazhuara me pastrimin e parave, po të shohësh edhe ndërtimet që janë aty dhe gjithçka.
Ata kanë interes që të ruajnë këto struktura siç janë, në mënyrë që të jenë në gjendje të vazhdojnë këtë aktivitet.
Mendoj se kjo është diçka e rëndësishme për BE-në, ne nuk mund të lejojmë këto struktura të pastrimit të parave dhe të trafikut drogës të vazhdojnë të paprekura.
Siç e thashë, ndikimi indirekt tek zgjedhjet është se ata kanë interes të mbajnë situatën siç është, që t’i lejojë të vazhdojnë. Prandaj mendoj se kjo duhet adresuar qartësisht,” tha Gahler.










Discussion about this post