Situata në zonën e Thethit ka arritur kulmin e tensionit, teksa banorët dhe sipërmarrësit vazhdojnë protestat e ashpra kundër aksionit të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) për shembjen e ndërtimeve pa leje, pas urdhrit të Kryeministrit Edi Rama.
Incidenti më i rëndë është shënuar sot, kur disa persona ende të paidentifikuar kanë sulmuar me koktej molotovi fadromat e IKMT-së si dhe urën kryesore të lagjes “Gjelaj”. Ky akt ka ndezur reagime të menjëhershme nga forcat e rendit, të cilat kanë rrethuar zonën dhe kanë nisur kërkimet për autorët. Efektivat e Forcës Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH) janë nisur me urgjencë drejt vendngjarjes nga Tirana.
View this post on Instagram
Policia në reagimin e saj zyrtar ka bërë të ditur se një prej banorëve tentoi të digjte urën ku do të kalonte një mjet i IKMT-së. Pamjet e siguruara tregojnë gjithashtu se është hedhur lëndë djegëse drejt një fadrome, ku dallohen flakë të rrezikshme pranë saj. Për fat të mirë, nuk ka pasur persona të lënduar, por hedhja e molotovit ka shkaktuar flakë afër mjetit të IKMT-së dhe dëme materiale në urë.
Kreu i IKMT-së, Fatmir Memaj, shihet në një video duke iu drejtuar me fjalor banal personit që dyshohet se ka hedhur molotovin, duke thirrur “Ku je o trim” dhe më pas duke e ofenduar me fjalë të rënda.
Policia ka reaguar menjëherë pas sulmit, duke dislokuar forca të armatosura dhe me antiplumb, të cilat janë vendosur në pozicion me kallashnikovë në duar, duke demonstruar gatishmëri për të ndërhyrë. Po ashtu, policia ka njoftuar se është në kërkim aktiv të autorëve që qëlluan me shishe benzine në drejtim të fadromës së IKMT-së.
Në njoftimin e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër thuhet se rreth orës 15:35, një person ende i paidentifikuar hodhi një shishe me lëndë djegëse duke tentuar të djegë një urë druri, por ndërhyrja e policisë parandaloi djegien e plotë, duke shkaktuar vetëm dëmtime të pjesshme. Policia ka mohuar sulmin me molotov ndaj fadromave të IKMT-së dhe ka siguruar se nuk ka pasur dëme materiale apo rrezik për jetën e qytetarëve apo punonjësve të shërbimeve shtetërore.

Megjithatë, pamjet nga vendngjarja tregojnë një situatë mjaft të tensionuar, me forcat e rendit të armatosura dhe banorët e revoltuar që kundërshtojnë aksionin e IKMT-së. Banorët e Thethit kanë paralajmëruar se do të mbyllin bujtinat e tyre në shenjë proteste ndaj prishjes së ndërtimeve, duke kërkuar dialog dhe shtyrje të afatit deri në fund të sezonit turistik. Nga ana tjetër, IKMT po vijon me shembjen e strukturave pa leje, duke zbatuar urdhrin e Kryeministrit Rama, çka ka çuar në përplasje të ashpra mes autoriteteve dhe komunitetit lokal.










Discussion about this post