Mustafa Martinaj, babai i Ervis Martinaj ka kërkuar shpalljen e djalit të tij si i zhdukur.

“Shtetasi Mustafa Martinaj kërkon pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë shpalljen tëzhdukurtë shtetasit Ervis Martinaj i datëlindjes 6.10.1982, lindur në Burrel dhe banues në Fushë-Kuqe, Patok, Kurbin.
KËRKUES Mustafa Martinaj”, thuhet në kërkesën e tij.
Martinaj rezulton i zhdukur prej disa vitesh, ndërsa besohet se për herë të fundit është parë në gusht të vitit 2022.
Babai i tij ka bërë kërkesën pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë.
Dosja
Për fatin e një personazhi jo të zakontë, të ashtëquajtur “Mbreti shqiptar i lojërave të Fatit”, nga data 11 gusht prokuroria ka regjistruar edhe një vepër penale për “rrëmbim personi”.
Në të gjithë këtë histori, ato që nuk kishin si të mungonin, janë padyshim, teoritë konspirative. Një ndër to është edhe ekzistenca e një video, në pamjes e së cilës shfaqet trupi i copëtuar i Ervis Martinaj.
I pari që u mor në pyetje nga hetuesit për zhdukjen e Ervis Martinajt ishte babai i tij, Mustafa Martinaj. Ai tha se kishte humbur kontaktet me të birin, natën kur në telefonin e vëllait të tij Faikut, kishte mbërritur një mesazh nga Dubai.
“Herën e fundit me Ervisin ka kontaktuar një njeri i afërt. Kontaktet me djalin i kam humbur më datë 9 gusht ora 19:30. Pas kësaj ore, ai nuk ka qenë në linjë. Zhdukja e tij sipas mendimit tim i takon orës 19:30 deri në orën 22:00 të datës 9 gusht 2022. Nuk kam asnjë dijeni për vendin dhe njerëzit që kanë marrë pjesë në rrëmbimin e tij. I afërmi që ka kontaktuar djalin nuk ndodhet në Shqipëri dhe mesa kam dijeni Ervisi nuk ka numër shqiptar.
Zanafilla e kësaj ngjarje lidhet me shpalljen e Ervisit në kërkim për krime të trilluara nga Nuredin Dumani. Sqaroj se ndërprerjen e komunikimit dhe të zhdukjes së djalit i kam marrë vesh nga i afërmi im i cili jeton jashtë shtetit. Dyshoj se Ervisit mund t’i ketë ndodhur diçka e keqe nga grupe kriminale”, ka thënë para hetuesve Mustafa Martinaj, babai i Ervis Martinaj.
Mbështetur në dëshmitë e familjarëve grupi hetues mori në pyetje edhe Endrit Doklen. Ky person doli edhe në dëshminë e Nuredin Dumanit që tha se ka qenë objektiv i shënjestrës së Martinajt. Por Dokle, ashtu siç pritej, mohoi të kishte lidhje me zhdukjen e Ervis Martinajt.
“Unë nuk kam asnjë lidhje me këtë ngjarje. Dhe po kështu nuk kam asnjë konflikt me Ervis Martinaj”, është shprehur Dokle.
Hetimi
Arrestimi i shumëkërkuarit Aldo (Elidon) Avdyli në Tiranë pritet të hapë një kapitull të ri në hetimin për zhdukjen misterioze të biznesmenit të njohur të lojërave të fatit, Ervis Martinaj. Burime bëjnë të ditur se SPAK ka shfaqur interes për tërheqjen e dosjes që aktualisht ndodhet në Prokurorinë e Lezhës, për të analizuar aktet dhe për ta pyetur Avdylin në burg lidhur me ngjarjen që prej tre vitesh mbetet pa përgjigje.
Dosja, e regjistruar që në gusht të vitit 2022 me akuzën “Rrëmbim ose mbajtje peng e personit” në bashkëpunim, nuk solli rezultate konkrete pavarësisht kontrolleve të shumta në banesat e Astrit, Jasin dhe Aldo Avdylit. Megjithatë, hetuesit e Lezhës kanë konsideruar Aldo Avdylin si person kyç në zhdukjen e “mbretit të lojërave të fatit”.
Pas kapjes së tij në zonën e Liqenit të Thatë në Tiranë, SPAK synon të rishikojë të gjithë materialet për të kuptuar nëse arrestimi mund të çojë në zbardhjen e misterit më të madh të botës së krimit shqiptar.
Aktualisht, ndaj Aldo Avdylit rëndojnë tre akuza të tjera zyrtare:
“Sigurim i kushteve për të kryer vrasjen e Durim Bamit”, në bashkëpunim me 16 persona të tjerë,
dhe “Vrasje me paramendim” në formën e grupit kriminal ndaj Edmir Bregut (i njohur si “Maloku”).
Në raportimet mediatike është përmendur shpesh si nip i Astrit Avdylit, por në të vërtetë Aldo dhe Astriti janë kushërinj dhe jo xhaxha e nip.
Nëse SPAK e tërheq zyrtarisht dosjen dhe vendos të rihapë hetimet, ballafaqimi me Aldo Avdylin mund të bëhet pika e kthesës për zbardhjen e zhdukjes së Ervis Martinajt, një prej enigmave më të mëdha që ka tronditur botën e krimit në Shqipëri.
gijotina.com/










Discussion about this post