Prokuroria e Posaçme ka kërkuar 5 vite burg për Alqi Ballokin, i akuzuar për korrupsion pasiv për çështjen e inceneratorit të Tiranës.
Bllako akuzohet për kryerjen e veprës penale “korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publikë” në lidhje me hetimet për inceneratorin e Tiranës. Në datë 20 dhjetor, GJKKO kaloi për gjykim dosjen në ngarkim të Bllakos, për korrupsion kryer në dy raste.
Nga hetimet, ka rezultuar se Bllako në cilësinë e sekretarit të ministrisë së Mjedisit ka përfituar shumën prej 120 mijë euro për favorizimin që i ka bërë dy pronarëve që përfituan të drejtën për ndërtimin e inceneratorit, Klodian Zotos e Mirel Mërtirit. Ndërsa në rastin e dytë, ka rezultuar se Bllako i ka kërkuar rryshfet Klodian Zotos, shumën prej 7.5 milionë Lekësh për llogari të Vladimir Bezhanit, duke e punësuar atë fiktivisht tek shoqëria “Integrated Technology Services”.
Në muajin prill, SPAK çoi për gjykim një pjesë të të akuzuarve për inceneratorin e Tiranës mes të cilëve edhe ish-ministrin e mjedisit Lefter Koka, si dhe disa ish-zyrtarë të bashkisë së Tiranës dhe anëtarë të komisionit të vlerësimit të ofertave.
Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Alqi Bllako akuzohet se ka përfituar afro 14 milion e 600 mijë lekë pasi ka falsifikuar dokumente për të shpronësuar një tokë për ta kthyer nga një tokë arë në truall në bashkëpunim me ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka e kryetarin e shpronësimeve, Pëllumb Abeshi për Inceneratorin e Elbasanit.
Bllakos iu caktua dënimi me 2.8 vite burg dhe 5 vite heqje e së drejtës për të ushtruar funksione publike për këtë aferë. Ndërkohë që është dënuar me 2.8 vite burg për inceneratorin e Fierit.
Bllako ka kërkuar të shpallet i pafajshëm, me pretendimin se akuza e ngritur nga SPAK, nuk është bërë mbi bazën e një analize, ndërsa ia ka faturuar këtë, Klodian Zotos, që për ish-zyrtarin e Ministrisë së Mjedisit, ka pasur marrëdhënie të drejtpërdrejtë me anëtarët dhe kryetarët e komisionit të vlerësimit të ofertave.
Bllako shton se, kur është kryer vlerësimi i ofertave, shpallja dhe fituesi i koncesionit, ai nuk ka qenë në detyrë si sekretar i përgjithshëm.
“Në vendimin e arsyetuar nuk gjenden veprimet e ligjshme apo të paligjshme që unë kam bërë si sekretar i përgjithshëm. Sektretari i përgjithshëm ka zero rol në përcaktimin kontratës së koncesionit. Këtë të drejtë për hartimin dhe zhvillimin vetëm anëtarëve të këtij koncesioni. Korrupsioni pasiv është ngritur ndaj meje pa u bërë asnjë analizë. Klodian Zoto ka pasur marrëdhënie të drejtpërdrejtë me anëtarët dhe kryetarët e komisionit. Kur është kryer vlerësimi i ofertave shpallja dhe fituesi i koncesionit, unë nuk kam qenë fare në detyrë si sekretar i përgjithshëm. Nuk ka pasur as urdhër të ministrit për sekretarin për mbikëqyrjen e projektit. Sa i takon punësimit të zotit Bezhani pranë kompanisë së Klodian Zotos, në nëntor kur filloi punë nuk ishte lidhur kontrata me inceneratorin e Elbasanit dhe as kontrata me inceneratorin e Fierit. Mua me zotin Bezhani nuk më lidh asgjë dhe kur kam filluar punë në këtë ministri e kam gjetur aty”,- ka thënë Bllako.










Discussion about this post