Sot, më 26 nëntor 2025, Shqipëria kujton tërmetin e vitit 2019, 6.4 ballë, që goditi në orën 03:54 dhe u ndje deri në Taranto e Beograd. Në vetëm 50 sekonda u shuan 51 jetë, mbi 3,000 njerëz u plagosën dhe mijëra familje mbetën pa një çati. Durrësi, Thumana dhe Laçi u kthyen në simbole të dhimbjes kombëtare.
Rreth 1,300 pasgoditje tronditën vendin gjatë ditëve që pasuan, duke shtuar panikun dhe duke vështirësuar kërkim-shpëtimin. Ekipet shqiptare, të ndihmuara nga SHBA, Evropa, rajoni dhe dhjetëra vende të tjera, nxorën shumë të mbijetuar nga rrënojat. Fëmijë, të moshuar dhe familje të tëra kaluan netë të pafundme në çadra, stadiume, palestra e makina.
Qindra ndërtesa u shembën në Durrës e Thumanë, ndërsa mbi 1,400 objekte në Tiranë dhe 900 në Durrës rezultuan të dëmtuara rëndë. Mijëra njerëz u sistemuan provizorisht në hotele, qendra sociale, palestra dhe në kampin e ngritur në Kosovë. Ndihma ndërkombëtare mbërriti nga mbi 30 shtete, nga Turqia e Greqia deri në SHBA, Itali, Maqedoni të Veriut e vende të tjera që sollën inxhinierë, pajisje, çadra, batanije dhe ekipe shpëtimi.
Edhe pse vitet kanë kaluar, shumë familje ende jetojnë pa shtëpi të rindërtuara dhe mbeten peng të procedurave dhe premtimeve të vonuara. Disa prej tyre kanë jetuar me vite në hotele apo struktura provizore, duke pritur rikthimin në normalitet që nuk erdhi kurrë plotësisht.
Premtimi i qeverisë për zonën e Durrësit dhe rrethinat ishte ndërtimi i një lagjeje të re për familjet e prekura, por realiteti në terren tregon se shumë gjëra kanë mbetur pezull.
Lagjja e re e Spitallës, e ndërtuar me 85 pallate dhe 996 apartamente, financuar nga Princi i Kurorës së Emirateve të Bashkuara Arabe dhe me mbështetjen e qeverisë shqiptare, pritet të strehojë rreth 4 mijë qytetarë.
Megjithatë, deri tani, shumë banorë nuk kanë mundur të zhvendosen në banesat e reja dhe detyrohen të vazhdojnë të jetojnë me qira, duke përballuar koston e lartë të jetesës dhe pasigurinë.










Discussion about this post