Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka reaguar për herë të parë në lidhje me hetimet ndaj zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, e cila është pezulluar nga detyra me vendim të Gjykatës së Posaçme.
Në një reagim për Report Tv, Ambasada Amerikane theksoi rëndësinë e pavarësisë së institucioneve të drejtësisë dhe e cilësoi atë si të domosdoshme për bashkëpunimin e vazhdueshëm SHBA–Shqipëri.
“Pavarësia e institucioneve të drejtësisë në Shqipëri mbetet thelbësore për bashkëpunimin e vazhdueshëm SHBA–Shqipëri në luftën kundër krimit transkufitar. Ne nuk kemi komente mbi çështjet ligjore në vazhdim,” – thuhet në reagimin e Ambasadës Amerikane.
Reagimi i SHBA vjen në një kohë kur kryeministri Edi Rama ka refuzuar të shkarkojë Ballukun, duke e dërguar çështjen në Gjykatën Kushtetuese.
Çdo ditë, Edi Rama del me mesazhe të reja në rrjete sociale, duke u përpjekur të justifikojë se pezullimi i saj po pengon funksionimin e vendimeve qeveritare dhe nismave të investimeve.
Ndërkohë, më 20 nëntor, Gjykata e Posaçme pezulloi nga detyra Belinda Ballukun, duke i ndaluar gjithashtu daljen jashtë vendit.
Ajo është marrë e pandehur për shkelje në tenderin e tunelit të Llogorasë dhe po hetohet për tenderin e lotit 4 të Unazës së Madhe, ku dyshohet se fituesit janë paracaktuar.
gijotina.com/










Discussion about this post