Një 55-vjeçar, i identifikuar si Hysni Ymeri, ka humbur jetën mëngjesin e sotëm si pasojë e një shpërthimi në qytetin e Shkodrës, në lagjen “Manush Alimani”. Ngjarja e rëndë fillimisht u raportua si shpërthim i një boksi elektrik, por më pas OSHEE e përgënjeshtroi këtë version, duke deklaruar se shpërthimi nuk kishte lidhje me matësit e energjisë.
Në vijim, u hodhën dyshime për shpërthim me tritol, por edhe kjo pistë u mohua më pas nga policia.
Policia e Shkodrës deklaroi se rreth orës 10:10, në hyrje të një pallati, ka shpërthyer paneli i matësave të energjisë elektrike, duke lënë të plagosur rëndë 55-vjeçarin, i cili më pas ndërroi jetë në Spitalin Rajonal të Shkodrës.
“Rreth orës 10:10, në lagjen “Manush Alimani”, në hyrjen e një pallati, dyshohet se ka shpërthyer paneli i matësave të energjisë elektrike.
Si pasojë u dëmtua një shtetas ende i paidentifikuar, rreth 55 vjeç, i cili ka humbur jetën në Spitalin Rajonal Shkodër.”,thuhet në njoftimin e policisë.
Ndërkohë, OSHEE doli me një reagim duke theksuar se shpërthimi nuk ka ardhur nga matësit e energjisë elektrike, duke hedhur poshtë edhe versionin e Policisë.
“Në lidhje me ngjarjen në Shkodër, sipas informacioneve paraprake, shpërthimi nuk ka ndodhur për shkak të boksit të matësave”, thuhet në reagimin e OSHEE-së.
Pra, nga një version te tjetri, mbeten shumë pikëpyetje: ishte shpërthim i një boksi elektrik, apo jo? Ishte lëndë plasëse apo një defekt teknik? Kush po thotë të vërtetën?
Në këtë kaos deklaratash, një gjë mbetet e qartë: një qytetar ka humbur jetën, ndërsa institucionet japin versione të ndryshme dhe të paqarta për atë që realisht ndodhi.








Discussion about this post