Besnik Halili dhe Vladimir Vladimirov janë dy kokat e duopolit fals të oksigjenit mjekësor në Ministrinë e Shëndetësisë. SPAK është zhytur në tenderat e manipuluar dhe po sistemon provat, ndërkohë që këta vazhdojnë me të njëjtën skemë të marrin paratë e spitaleve.
Herë fiton Besniku, herë Vladimiri
Më 17 dhjetor 2025, kompania “GTS-Gazra Teknike Shqiptare” sh.p.k me përfaqësues Besnik Halilin u shpall fituese e tenderit me objekt “LOTI 1: Blerje Oksigjen për Qendrën Spitalore Rajonale e Shefqet Ndroqi” Tiranës, Kavajë, “Shefqet Ndroqi”, me afat të marrëveshjes kuadër deri në 12 muaj me fond limit 30,153,600 lekë pa TVSH.

Në këtë tender kanë marrë pjesë “GTS-Gazra Teknike Shqiptare” sh.p.k. me ofertë 29,985,000 Lekë pa TVSH. Kjo kompani me bazë kapitali në Itali përfaqësohet nga Besnik Halili.
Kompania e dytë pjesëmarrëse është “Messer Albagaz sh.p.k” me ofertë 30,150,400 Lekë pa Tvsh. Ndërsa kjo firmë është me bazë në Serbi dhe ka si përfaqësues Vladimir Vladimirovin.
Sic mund ta shihni, ofertat e tyre janë thuajse të barabarta. Qysh nga fillimi i vitit të kaluar, organizator i tenderave të furnizimit të spitaleve është Operatori i Blerjeve të Përqendruara, në varësinë e ministrit Blendi Gonxhe. Ky vazhdon të ecë në rrugët e korrupsionit të shtruara nga ish-ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu. Nuk ka ndryshuar asgjë, vetëm përqendrim i korrupsionit me tenderat në një dorë.
Fitues i tenderit për oksigjenin e Sanatoriumit është Niku. Sic do të shohim më poshtë në të gjitha tenderat e furnizimit me oksigjen shfaqen vetëm këto dy kompani.
Në 3 nëntor 2021, është sërish GTS që ka marrë tenderin me objekt “LOTI 2: Blerje Oksigjen për Qendrën Spitalore Rajonale Durrës me afat të marrëveshjes kuadër deri në 12 muaj me fond limit 33,613,056 lekë pa TVSH.

Sipas dokumenteve të tenderit, “GTS-Gazra Teknike Shqiptare” sh.p.k. ka bërë ofertën 33,424,200 Lekë pa TVSH. Ndërsa “Messer Albagaz” sh.p.k ka vlerën 33,610,560 Lekë pa Tvsh.
Duke iu referuar procedurës së mësipërme, kompania e Nikut është identifikuar si ofertuese e suksesshme.
Në tenderin tjetër, kompanitë kanë ndryshuar rol (marrëveshjen). Bëhet fjalë për prokurimin me objekt “LOTI 7: Blerje Oksigjen për Drejtorinë e Spitalit Rajonal Gjirokastër”, me afat të marrëveshjes kuadër deri në 12 muaj, me fond limit 11,059,200 lekë pa TVSH.

Kompania “Messer Albagaz” sh.p.k. ka bërë ofertën 11,008,000 Lekë pa TVSH. Ndërsa “GTS-Gazra Teknike Shqiptare” sh.p.k ka bërë ofertë disa lekë më tepër: 11,040,000 lekë pa TVSH.
Në këtë rast fituese është “Messer Alba-gaz” sh.p.k e Vladimirit.
Kolegu që përfaqëson “GTS-Gazra Teknike Shqiptare” sh.p.k do të përfitonte në vijim kontratën: LOTI 4: Blerje Oksigjen për Drejtorinë e Spitalit Rajonal Lezhë, me afat të marrëveshjes kuadër deri 24 muaj me fond limit 13,305,600 lekë pa TVSH. Edhe ky tender është mbajtur në 10 nëntor 2025, por kontrata është bërë e ditur më 22 dhjetor.

Radha e kompanisë “Messer Albagaz” sh.p.k ishte për kontratën: LOTI 6 : Blerje Oksigjen për Qendrën Spitalore Rajonale Berat me afat të marrëveshjes kuadër deri në 15 muaj, me fond limit 15,939,000 lekë pa TVSH.

“Messer Albagaz” sh.p.k. ka fituar me ofertëm 15,862,800 lekë pa TVSH.
Tenderin për furnizimin me oksigjen të Spitalit Memorial Fier e ka përfituar “GTS-Gazra Teknike Shqiptare” sh.p.k.. me ofertën 15,364,200 Lekë pa TVSH.

Një kontratë tjetër e dhënë në fund të dhjetorit është “LOTI 5: Blerje Oksigjen për Drejtorinë e Spitalit Rajonal Dibër” me afat të marrëveshjes kuadër deri në 12 muaj, me fond limit 2,277,000.

Këtu ka qenë radha e kompanisë “Messer Albagaz” sh.p.k. me ofertën gati sa fondi limit: 2,270,400 Lekë pa TVSH. Kjo skemë vazhdon qysh nga viti 2021. Më parë i meerrte tenderat vetëm Besniku, ose të dyja kompanitë hynin në tendera bashke me marrëveshje bashkëpunimi BOE. Janë 64 tendera që janë marrë bashkarisht me bashkim operatorësh BOE.
Vladimirovi ankohet pse i mori SPAK telefonin
Biznesmeni i kompanisë “Messer Albagaz” sh.p.k. Vladimir Vladimirov, është lakuar prej 2021, kur edhe është hapur dosja në SPAK, i cili, pas kontrolleve të BKH dhe bllokimit të telefonit, këmbëngul në Gjykatën Kushtetuese se i janë cënuar të dhënat personale.
Në këtë kërkesë, Vladimirov kërkon që Gjykata Kushtetuese të urdhërojë SPAK-un të asgjësojë komunikimet dhe të dhënat personale të përftuara nga këqyrja në telefonin e tij dhe që nuk janë objekt i hetimit.
Kërkesa e Vladimirov është e radhës këtu në Gjykatën Kushtetuese dhe vjen në kohën kur SPAK, në tre vitet e fundit, ka sekuestruar 978 telefona.
Duke kaluar në lupë tenderimet në këtë fushë, SPAK mbërriti edhe në zyrat e Vladimirov, duke urdhëruar sekuestrime që, në total vetëm për këtë fashikull, rezulton se janë kryer në disa zyra, duke shënuar në total 30 kompjuterë të bllokuar.
Vladimir Vladimirov. Është pyetur në SPAK në të njëjtën kohë me 12 punonjës të njësisë së prokurimeve për tenderat e oksigjenit mjekësor. Hetimet kanë ecur, por kanë ecur me një ritëm që varet nga ekspertiza e telefonave.
Kush është Besnik Halili?
Besnik Halili është bërë i njohur për publikun pas daljes së përgjimeve italiane të Ndraghetas, ku thirrej me shkurtimin Niku dhe kishte rolin e ndërmjetësit për leje ndërtimi në kryeqytet për kullat e mafias.
Zyrat e Grupit “G.T.S” në Shqipëri që administrohen nga biznesmeni Besnik Halili, i cili ka krijuar duopolin e tregtimit të oksigjenit të lëngshëm dhe kompresuar, i janë nënshtruar një vale kontrolli nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe SPAK.
Hetimi nr.17 i regjistruar kryesisht nga SPAK në datën 25 janar 2021, brenda katër viteve ka kryer një seri veprimesh, ku është duke u verifikuar nëse zyrtarë të Ministrive të ndryshme në bashkëpunim me punonjës të kompanisë “GTS-Gazra Teknike Shqiptare”, kanë paracaktuar kriteret dhe format e procedurave tenderuese, duke shpallur fituese në të gjitha rastet kompaninë e oksigjenit të Besnik Halilit.
Hetimi i këtij rasti ka nisur pas shkrimeve në media lidhur me bisedat e transkriptuara nga Autoritetet Italiane të Drejtësisë, nga të cilat rezulton se italianët e klanit mafioz “Ndragheta”, Antonio Gallo, Antonio Speziali dhe Claudio Larusa, flasin për një person shqiptar i njohur prej tyre me emrin “Nik”, i cili sipas bisedave, kishte lidhje në Bashkinë Tiranë dhe mund të siguronte leje ndërtimi të objekteve të reja që po ndërtoheshin në qëndrën e Tiranës kundrejt rryshfetit të dhënë tek punonjësit e Bashkisë Tiranë.
Po kështu, sipas bisedave, personi i cili njihej me emrin “Niku” kishte marrë pjesë dhe ishte shpallur fitues dhe në disa tendera të kryera nga Ministria e Shëndetësisë, ku sipas mediave operonte kryesisht në fushën e furnizimit të spitaleve me oksigjen.
Nga verifikimet e bëra nga SPAK, ka rezultuar se personi i njohur me emrin “Nik” është Besnik Halili, i cili është themeluesi dhe administratori i shoqërisë “GTS-Gazra Teknike Shqiptare sh.p.k.”
Halili rezulton të ketë ngritur një zinxhir kompanish si “GTS-Gazra Teknike Shqiptare”, ”Hydro Energy Sotira”, “Idro Energia Pulita”, “Adr-Trans”, “Green Tech”, “N3H”, “Messer Albagaz”, “Sofigaz”, “Sapio Produzione Idrogeno” ku në disa prej këtyre qëndron si pronar në hije, duke kryer dhjetëra transaksione të dyshimta. Përmes këtyre kompanive, SPAK dyshon dhe po heton nëse janë lëshuar fatura fiktive duke sjellë transaksione bankare për fshehje.
Sipas dosjes hetimore rezulton se nga periudha e vitit 2014 deri në vitin 2020, shoqëria “GTS-Gazra Teknike Shqiptare” që administrohet nga Besnik Halili, ka lidhur 223 kontrata, kryesisht në furnizimin me gazra teknike mjekësore, ndër të tjera me Ministrinë e Shëndetësisë si dhe me Drejtoritë e Spitaleve Rajonale.
Gjatë hetimit të këtij rasti SPAK, ka kërkuar nga Agjensia e Prokurimit Publik, të gjitha kontratat që janë lidhur me këtë subjekt.
“GTS-Gazra Teknike Shqiptare” është një shoqëri e krijuar nga shoqëria italiane S.O.L s.p.a dhe më saktë kjo e fundit ka 100 për qind të aksioneve të shoqërisë “GTS-Gazra Teknike Shqiptare”. “…në këto rrethana shoqëria “S.O.L” s.p.a funksionon si një shoqëri guaskë…”-thuhet në dosjen e SPAK.
Të nisur nga dyshimet të forta se punonjës të kompanisë dhe zyrtarë shtetërorë kanë paracaktuar në tavolinë tenderat me vlera miliona euro, në datën 20 Maj 2024, SPAK dhe BKH kanë ushtruar kontrolle në zyrat e biznesmenit Besnik Halili dhe tek rrethi i punonjësve të kësaj kompanie.
SPAK dhe BKH, kanë kryer bastisje në zyrat e grupit “S.O.L”, duke sekuestruar prej andej kompjuterat, dokumenta dhe aparate telefonike.
Veprimet e SPAK janë kryer nga prokurori Sotir Kllapi, i cili ka autorizuar 14 oficerë të BKH-së, për ekzekutimin e veprimeve kontrolluese.
Më konkretisht kontrollet janë kryer tek zyrat e kompanisë “GTS-Gazra Teknike Shqiptare”, kontroll personal i është bërë biznesmenit Besnik Halili, të cilit i është marë telefoni dhe sende të tjera elektronike.
Më tej kontrolli është kryer dhe tek bashkëshortja e Besnik Halilit, Luneda Sufali, e cila ka qënë ish-punonjëse e kompanisë së tij. Sufali aktualisht drejton Shërbimin Social Shtetëror.
Në nëntor të vitin 2015, Sufali dha dorëheqjen nga posti në Ministrinë e Financave dhe u emërua Sekretare e Përgjithshme në Ministrinë e Mirëqënies Sociale, e cila në atë kohë drejtohej nga Blendi Klosi.
Më pas, në nëntor 2017, zonja Sufali do të emërohej Drejtoreshë e Shërbimit Social Shtetëror, me firmën e Ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.
Kontrolle dhe sekuestrime janë kryer edhe vëllai i Besnik Halilit, Ergys Halili, i cili është administrator i kompanisë “NCI”, kjo e fundit ka kryer dhjetëra transferta të shumta parash me shoqëritë e administruara nga Besnik Halili.
Telefonat dhe kompjuterat i janë marë shtetasit Aldo Muça, administrator i kompanisë “N3H”, shoqëri e cila ka transferta të shumta bankare me kompanitë e administruara nga Besnik Halili.
Kontrollit i është nënshtruar dhe Gerti Idrizi, i cili është punonjës i “GTS-Gazra Teknike Shqiptare” dhe figuron si përfaqësues ligjor në QKB tek të gjitha shoqëritë e administruara nga Besnik Halili.
Valës së kontrollit nuk i ka shpëtuar dhe Alban Zoraqi, Elona Hoxhafi, të cilët janë financierët kryesorë dhe njerëzit që kanë kryer veprime të transfertave bankare tek të gjitha kompanitë e administruara nga Besnik Halili.
Gjithashtu kontrolle dhe sekuestrime janë kryer edhe tek Ardian Strazimiri, administrator i kompanisë “Sofigaz”
BKH-ja ka marë telefonin dhe kompjuterin e Ervin Tushes, i cili është hartuesi i specifikimeve teknike tek çdo procedurë prokurimi të fituar më pas nga GTS-Gazra Teknike Shqiptare”.
Një tjetër emër që i është marë telefoni dhe kompjuterat janë Migel Zallëmi, shefi i financës së shoqërisë “Messer Albagaz”, e cila në shumë raste është fituese e tenderave në shoqërinë G.T.S, ku së bashku hynin në formën e Bashkimit të Operatorëve Ekonomikë.
Stojan Angjellari, në cilësinë e menaxherit teknik të kompanisë “Messer Albagaz”, i është marë telefoni dhe kompjuteri.
Kontroll i është bërë dhe Ela Strazimirit, specialistes së financës së shoqërisë “Messer Albagas”, e cila ka qënë në dijeni të transaksioneve fiktive të bëra midis shoqërive “Messer Albagas” dhe “G.T.S”.
Rasti nën hetim i vitit 2019
Një procedurë tenderuese e vitit 2019 për blerjen nga Ministria e Shëndetësisë të oksigjenit të lëngshëm dhe oksigjenit të kompresuar, është bërë objekt hetimi në prokurorinë e posaçme SPAK.
Hetime po kryhen mbi anëtarë të komisionit të prokurimeve në Ministrinë e Shëndetësisë dhe mbi rolin në këtë procedurë të ish-ministres, Ogerta Manastirliu.
Në dosjen hetimore jepet një tablo e qartë se si përmes marifeteve teknike, dy kompanitë e themeluara nga biznesmeni Besnik Halili, “GTS-Gazra Teknike Shqiptare” dhe “Messer Albagaz”, kanë fituar përmes trukimit të procedurave dy tendera me vlerë prej 1 miliard e 992 milion lekë dhe i dyti me vlerë prej 1 miliard e 986 milion lekë të vjetra.
Sipas SPAK e gjithë procedura ka qënë e paracaktuar, pasi zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë dhe punonjës të kompanisë së oligarkut Besnik Halili, kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin me qëllim hartimin e kritereve të posaçme, ku fitues i këtij super-tenderit të ishte pikërisht Besnik Halili.
Bëhet fjalë për dy procedura tenderuese të hapura në vitin 2019 nga Ministria e Shëndetësisë, ku e para lidhet me “Blerjen e barnave anestezi reaminacion, antineoplastike dhe immunomodulatore” e cila ishte e ndarë në 33 lote me vlerën e sipërcituar prej 198.628.628.1 lekë pa TVSH.
Ndërsa procedura e dytë lidhet me prokurimin “B6-Blerje barna për anestezi reanimacion, organet e shqisave, psikiatri dhe sistemi kardiovaskular” i ndarë në 35 lote me fond limit prej 199.297,631.2 lekë pa TVSH.
Të dyja procedurat janë zhvilluar me skemën e marrëveshjes kuadër dhe ka pasur një shtrirje kohore të furnizimit për 12 muaj.
Nga procesverbalet e mbajtura nga njësia e prokurimit, janë vendosur kriteret e përgjithshme dhe ato të veçanta të kualifikimit. Në dallim nga lotet e tjera ku kriteret e kualifikimit janë të njëjta, për lotet “Oxygen” rezulton se në kriteret e veçanta të kualifikimit ka disa ndryshme konkrete.
Sipas prokurorisë SPAK rezulton se autoriteti kontraktor Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në përcaktimin e kriterit të veçantë të kualifikimit, vetëm për gazin mjekësor ka specifikuar llojin e gazit për kontrata të ngjashme, duke specifikuar konkretisht “…gazra mjekësor…”.
Në këtë rast Operatorë Ekonomikë të interesuar për të dhënë oferta ekonomike, duhet të kenë patur kontrata të ngjashme vetëm për gazra mjekësor.
Pavarësisht se ky kriter është argumentuar nga njësia e prokurimit, rezulton se në mënyrë të ngjashme është përdorur edhe nga autoritet kontraktore të tjera (Spitalet Rajonale) në rastet kur kanë zhvilluar procedura prokurimi me objekt blerjen e oksigjenit mjekësor.
Ndërkohë lidhur me zhvillimin e procedurave të përqendruara të prokurimit publik për barna dhe pajisje mjekësore (materiale konsumi për përdorim mjekësor) të vitit 2019, rezulton se Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në cilësinë e Organit Qendror Blerës, ka zhvilluar 15 procedura prokurimi për blerjen e 424 barnave të ndryshme, për të cilat spitalet në varësi të kësaj ministrie kanë planifikuar dhe dërguar kërkesë për blerje për vitin 2019.
Në dosjen e SPAK thuhet se: “…nga shqyrtimi i dokumentacionit të këtyre 15 procedurave, rezulton se prokurimi i barnave dhe pajisjeve mjekësore janë zhvilluar nëpërmjet përdorimit të “Marrëveshjes Kuadër”.
Secila procedurë prokurimi, është përbërë nga disa artikuj ku secili prej tyre ka formuar një lot. Sasia e artikujve ose e loteve për secilën procedurë prokurimi, ndryshon nga njëra-tjetra. Nga shqyrtimi i dokumentacionit lidhur me fondin limit/vlerat e pritshme të kontratave rezulton se këto shuma janë të ndryshme nga njëra tjetra. Nga 15 procedura prokurimi në total, 14 prej tyre variojnë në shuma rreth 200, 000, 000 lekë pa TVSH, por në asnjë rast këto shuma nuk janë barazuar ose e kanë tejkaluar këtë shifër…”.
Për SPAK, kjo praktikë është ndjekur me qëllim favorizimin e operatorëve ekonomikë të caktuar, pasi nëse vlera e fondit limit të një loti do të kalojë shumën 200.000.000 lekë pa T.V.SH. atëherë e gjithë procedura e blerjes apo prokurimit, do të ishte ndërkombëtare..
SPAK thotë se ka dyshime që mospërfshirja e dy barnave të mësipërm në një procedurë prokurimi mund të jetë bërë në një marrëveshje të fshehtë ndërmjet operatorëve ekonomik BOE “GTS – Gazra Teknik Shqiptar” dhe “Messer Albagaz” dhe autoritetit kontraktor Ministria e Shëndetësisë me qëllim marrjen në këto procedura prokurimi vetëm të operatorëve ekonomik “GTS-Gazra Teknik Shqiptar” dhe “Messer Albagaz”.
Gjithashtu, nga hetimet paraprake rezulton se minimalisht nga viti 2018 e në vijim, të gjitha procedurat e prokurimit të zhvilluara nga Ministria e Shëndetësisë ose nga institucionet në varësi të kësaj ministrie për blerjen e barnit oksigjen i lëngshëm ose i gaztë, janë fituar nga Shoqëria “Messer Albagaz” dhe “GTS-Gazra Teknike”.
Gjithashtu, nga dokumentacioni i marrë pranë Ministrisë së Shëndetësisë, rezulton se një pjesë e shkëmbimit të korespodencës ndërmjet tyre me anë të e-mailit është kryer duke përdorur aparatet telefonik celularë.
Rezulton se në procedurën e prokurimit në fjalë, zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë, konkretisht anëtarët e Njësisë së Prokurimit si dhe Komisioni i ngritur posaçërisht për llogaritjen e nevojave të furnizimit me mallra, ka lënë pa përfshirë në sasinë e prokuruar sasinë e oksigjenit të kërkuar nga Drejtoritë Rajonale të Spitaleve Durrës dhe Elbasan, pasi nëse do të përfshiheshin edhe sasitë e kërkuara nga këto drejtori sipas planifikimit të tyre, automatikisht vlera e fondit limit do të ishte e tillë që procedura e prokurimit detyrimisht të ishte procedurë ndërkombëtare.
Ka dyshime se shmangia e kësaj procedure, është bërë me qëllim të posaçëm për të favorizuar operatorët vendas dhe konkretisht bashkimin e operatorëve “GTS- Gazra Teknike Shqiptare” dhe “Messer Albagaz”, kompani të cilat janë ofertues si një operator ekonomik i vetëm Bashkim Operatorësh.
Nga ana tjetër punonjësit e shoqërisë “GTS-Gazra Teknike Shqiptare”, duke bashkëpunuar me zyrtarët e autoriteteve të ndryshme kontraktore, ka dyshime se kanë hartuar kritere dhe specifikime teknike me qëllim favorizimin e shoqërisë “GTS-Gazra Teknike Shqiptare” gjatë procedurave të prokurimeve publike.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.










Discussion about this post