Kryeministri Edi Rama ka komentuar në podkastin e tij “Flasim” zhvendosjen e Zyrës së Kadastrës së Vlorës drejt Tiranës, duke sqaruar arsyet dhe mënyrën e funksionimit të shërbimit në të ardhmen.
“Kjo lëvizje nuk lidhet me vendndodhjen fizike të zyrës, por me transformimin e shërbimit në një model të qëndrueshëm dhe të aksesueshëm për çdo qytetar, përmes celularit apo kompjuterit më të afërt,” tha Rama.
“Dy fjalë për zhvendosjen e zyrës së Kadastrës së Vlorës në Tiranë. U ngatërrua qëllimisht ose idiotësisht adresa fizike e zyrës me shërbimin për qytetarët. Agjencia e Kadastrës ka kaluar prej kohësh nga një model shërbimi primitive me sportele e radhë e zvarritje në një model online ende i pa mbyllur plotësisht në ciklin e vet, por gjithsesi përmes platformës E Albania ky model mundëson që shumica e procedurave nuk ka nevojë për paraqitje fizike në një sportel. Të gjitha ndiqen online. Tani gjithë kjo zhurmë dhe ky tension që u ndje në atë lëvizje lidhet jo vetëm me një perceptim të gabuar apo edhe informim të mangët, por edhe me një mendësi e cila duhet përmbysur. Duhet përmbysur duke pasur parasysh se e nesërmja e afërt e Kadastrës është një shërim pa sportele e godina fizike të shpërndara në territor por me akses në çdo shërbim si një e drejtë themelore dhe një e drejtë që merret përmes celularit, kompjuterit më të afërt dhe që nuk ka asnjë lidhje me vendndodhjen e zyrës. Ky nuk është i pari si veprim për zhvendosje të një drejtorie vendore në qendër dhe nuk është as i fundit. Të tjera drejtori do zhvendosen dhe ajo që po punojmë përditë është që të sigurojmë mbylljen e ciklit, pra jo më aplikim online dhe pastaj marrje të shërimit me postë, por gjithë cikli online”, tha Rama.










Discussion about this post