Kryeministri Edi Rama pretendoi se Mirlinda Karçanaj jeton në një shtëpi me qira. Verifikimet e Faktoje tregojnë se ish-drejtoresha e AKSH-it zotëron katër apartamente dhe një ullishte 1,500 m², përkatësisht dy në bashkëpronësi dhe dy në pronësi të plotë.
Dhjetorin e shkuar, Prokuroria e Posaçme goditi një grup të dyshuar kriminal në krye të AKSHI-t, mes të cilëve edhe drejtoreshën Mirlinda Karçanaj, aktualisht në arrest shtëpie, e dyshuar për shkelje të barazisë në tendera në bashkëpunim si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.
“Linda Karcanaj, e cila sot është në masë sigurie në një shtëpi me qira, ku jeton pasi ka jetuar deri pak vite më parë në shtëpinë e prindërve, në një apartament që ishte i kohës së komunizmit…,” deklaroi Rama fundvitin e kaluar.
Kjo deklaratë shkaktoi reagime të forta në media dhe rrjetet sociale, duke hapur një debat të gjerë publik. Nuk munguan as reagimet ironike, ku disa faqe të njohura në rrjete sociale sugjeronin me sarkazëm hapjen e një “GoFundMe” për Mirlinda Karçanajn.
Por përtej zhurmës, faktet kërkojnë verifikim. Ndaj Faktoje iu drejtua Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, ILDKPI-së, për të parë çfarë deklaron vetë Karçanaj për pasurinë e saj të paluajtshme.
Sa prona zotëron Karçanaj?
Analiza e deklaratave të saj pasurore mbi 21 vite tregon një panoramë shumë më të pasur se ajo që e paraqet kryeministri. Në 2007, kur ishte drejtoreshë e Teknologjisë së Informacionit në Bashkinë e Tiranës, Karçanaj deklaronte 25% të një apartamenti 3+1, 94 m² në Tiranë.
Në 2013 (kohë kur merr edhe detyrën e re si drejtoreshë e AKSHI-t) , e njëjta pronë shihet e saj me 50% bashkëpronësi. Në 2016, ky apartament rivlerësohet në mbi 13 milionë lekë apo 135 mijë euro.
Në të njëjtin vit, Karçanaj deklaron edhe blerjen e një apartamenti tjetër 136 m² në Tiranë për 65 mijë euro, ku 50% i përket bashkëshortit, Artan Babaramo.
Po në 2016, çifti blen edhe një apartament 60 m² në Qerret për 17,340 euro. Të dyja blerjet, sipas deklaratave, janë financuar nga kursimet ndër vite dhe pagat.
Një vit më vonë, apartamenti i Tiranës i blerë 65 mijë euro rivlerësohet në rreth 24,5 milionë lekë apo 240 mijë euro.
Në 2022, Karçanaj bëhet pronare e vetme e apartamentit 3+1 në Tiranë me vlerë 135 mijë euro, trashëgimi nga prindërit, dhe shton pasuri të tjera: një apartament 73.5 m² dhe një ullishte 1,500 m², po përmes trashëgimisë, pa specifikuar vendndodhjen dhe vlerën./ Faktoje.al










Discussion about this post