Pas lirimit nga paraburgimi, këngëtari Besart Kelmendi, i njohur ndryshe si Gjesti, ka reaguar për herë të parë me anë të një Insta-Story.
Gjesti është shprehur se kjo periudhë nuk ka qenë aspak e lehtë për të, teksa shtoi se e ndjente të nevojshme të sqaronte të gjithë situatën.
Këngëtari ka pranuar se veprimet për të cilat ai është akuzuar kanë qenë të gabuara dhe se është penduar për to.
Gjesti është shprehur se, edhe në momente të vështira, ai do të vazhdojë karrierën e tij muzikore, duke premtuar se do t’i postojë këngët në rrjetet e tij sociale.
“ Periudha e fundit nuk ka qenë më e lehta për mua, edhe po e ndiej të nevojshme me adresu çka ka ndodh.
Fillimisht po du me pranu që kom bo gabim edhe kërkoj falje për shqetësimin që e kom shkaktu te stafi. M’vjen shumë keq edhe jam shumë pishmon. Unë nuk jam njeri i tillë edhe veç një torturë e madhe që nuk u nal kurr ka mujt me m’pru në atë gjendje.
Faleminderit prej zemrës për krejt mesazhet dhe mbështetjen, m’keni jep forcë në momente të vështira. Një falënderim i veçantë shkon për avokatët e mi, Burimi Azemin dhe Artan Serkinin, për profesionalizmin edhe përkrahjen e vazhdueshme.
Në bashkëpunim me labele, menaxhmentin edhe avokatët tonë në Britani, kemi nis procedura ndaj kompanisë Onima për krejt keqtrajtimet ndër vite, borxhet (tu e përfshi edhe borxhin aktual), mundësitë e humbuna dhe dëmet e shkaktume. Ka shumë sene që hala nuk i dini, po që keni me i kuptu shumë shpejt.
Muzikën s’mundet me ma nal kërkush, sidomos jo njerëzit edhe kompanitë që e kanë për qëllim me i shkatërru artistat edhe me njollos industrinë e muzikës.
Gjatë kësaj kohe që jemi në gjyq, nëse koft nevoja, edhe veç në TikTok e Instagram kom me i postu kangët e mia, e pa muzikë s’ju lo. Ju du shumë! Drejtësia ka me fitu, si gjithmonë”, ka shkruar Gjesti në reagimin e tij në Instagram.
Gjykata Themelore në Prishtinë nxori sot aktvendimin për ndërprerjen e masës së paraburgimit ndaj këngëtarit, një javë pasi u ndalua dhe do të hetohet në gjendje të lirë.
Gjesti u arrestua një javë më parë nën dyshimin për armëmbajtje pa leje dhe kanosje.
Avokatët e tij, janë shprehur se në bazë të nenit 159 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, i cili përcakton parimin e proporcionalitetit në caktimin e masave të sigurisë, paraburgimi s’ka qenë masë proporcionale.
Po ashtu këngëtari ka falënderuar të gjithë ata që i kanë qëndruar pranë, duke u shprehur në fund se sipas tij drejtësia fiton gjithmonë.
gijotina.com/










Discussion about this post