GIJOTINA
  • Lajme
    • Politikë
    • Aktualitet
    • Ekonomi & Sociale
    • Kosovë & Rajon
    • Botë
  • Fact-Checking & Analize
  • OP-ED
    • Opinion
    • Editorial
    • Sondazh
  • Intervista
  • Sport
  • Të tjera
    • Art & Kulturë
    • Teknologji
    • Shëndet & Fitness
    • Kuriozitete
    • Show Biz
    • Lifestyle
    • Horoskopi
    • Moti
Nuk ka rezultat
View All Result
GIJOTINA
Nuk ka rezultat
View All Result
Fillimi Lajme Aktualitet

Pashkët ortodokse, Kryepeshkopi Joan uron besimtarët: Të bëhemi paqebërës në një botë që po shkatërrohet nga lakmia

10:19 - 11/04/26
në Aktualitet, Kulturë
Kohë leximi: 5 min
A A
Pashkët ortodokse, Kryepeshkopi Joan uron besimtarët: Të bëhemi paqebërës në një botë që po shkatërrohet nga lakmia
Facebook Twitter LinkedIn WhatsApp

Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Joani, ka përcjellë mesazhin e Pashkës për besimtarët ortodoksë, duke bërë thirrje për paqe shpirtërore, reflektim dhe kthim te Zoti në një botë që, sipas tij, po përballet me trazira të thella.

Kryepeshkopi Joan shtoi se ne duhet të bëhemi paqebërës në një botë që po shkatërrohet nga urrejtja dhe lakmia.

Mesazhi i Kryepeshkopit Joan

Mesazhi i Pashkës 2026

+ Joani

Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë

PAQJA E KRISHTIT TË NGJALLUR NË NJË BOTË TË TRAZUAR

I

Le të ndalemi në fjalët e para që tha Krishti i Ngjallur kur u shfaq para nxënësve të Tij. Ai nuk u tha atyre “fitore”, as “lavdi” dhe as “pushtet”, por u tha: “Paqe në ju” (Jn. 20:19). Hyri në dhomën ku ata ishin mbyllur nga frika dhe u dhuroi atë që bota nuk mund ta japë kurrë: paqen që nuk varet nga kushtet, nga ekuilibrat gjeopolitikë, nga marrëveshjet njerëzore, por paqen e Perëndisë që kapërcen çdo mendje (Fil. 4:7), një paqe e thellë shpirtërore, e cila vjen fillimisht nga pajtimi i njeriut me Zotin dhe pastaj shtrihet me të gjithë njerëzit.

Sot bota është e trazuar. Luftëra të përgjakshme vazhdojnë të shkaktojnë vdekje dhe vuajtje. Frika e së nesërmes mbulon popuj të tërë. Pasiguria troket kudo. Në mes të kësaj stuhie, Krishti i Ngjallur përsërit: “Paqe në ju”. Ky nuk është thjesht një urim mirësjelljeje shoqërore, por është njw realitet ontologjik. Vdekja u mund. Dhe, nëse u mund vdekja, atëherë çfarë mund të na trazojë më? Paqja e Krishtit nuk është mungesa e problemeve; është prania e Perëndisë brenda problemeve. Mbi Kryqin e Golgothasë, Krishti u përball me të gjitha pasionet e njerëzimit. Lakmia e parave e tradhtoi nëpërmjet Judës. Smira e dorëzoi te Pilati. Pushteti i trembur dhe i korruptuar e dënoi. Krenaria e talli. Urrejtja e gozhdoi në Kryq. Të gjitha pasionet shpërthyen mbi Të me tërbim, sikur bota të donte ta vriste vetë Perëndinë.

E megjithatë, në Kryq, pikërisht atje ku ligësia mendoi se triumfoi, Krishti nuk kërkoi hakmarrje. Ai thirri: “O Atë, fali ata, sepse nuk dinë ç’bëjnë” (Llk. 23:34). Me këto fjalë nuk mundi thjesht vdekjen. Mundi rrethin vicioz të ligësisë. Mundi logjikën e hakmarrjes që ushqen çdo luftë, çdo urrejtje, çdo përplasje të errët në histori. Ngjallja dëshmon se dashuria është më e fortë se vdekja; se falja e shkatërron të keqen, ndërsa hakmarrja e shumëfishon atë. Krishti i Ngjallur nuk erdhi të ndëshkojë kryqëzuesit e Tij. Erdhi t’i shpëtojë e t’i paqtojë. Dhe kjo është fitorja më e madhe në histori.

II

Në kohën që po jetojmë po përballemi me një formë të re vdekjeje: mpirjen e indiferencës; ngurtësimin e zemrës; tharjen shpirtërore të një shoqërie që e harroi Perëndinë, jo sepse iu ndalua, por sepse zgjodhi ta injorojë Atë. Përplasja e bindjeve të padukshme vazhdon të shkatërrojë jetë të dukshme. “Çfarë i vlen njeriut të fitojë gjithë botën – na thotë Krishti – nëse humb shpirtin e tij?” (Mt. 16:26). Këto fjalë janë më aktuale se kurrë. Jetojmë në një epokë ku njeriu ndjek pa pushim të mirat materiale, sigurinë, statusin shoqëror, dhe megjithatë ndihet më i zbrazur, më i vetmuar, i paplotësuar, më i shqetësuar se kurrë.

Ndërsa Ngjallja na zbulon një të vërtetë të madhe: kush ka Krishtin në zemrën e tij, nuk i mungon asgjë. Dhe jo vetëm shpirtërisht. Zoti që u kujdes të ushqejë pesë mijë vetë me pesë bukë, Zoti që e shndërroi ujin në verë, Zoti që tha “kërkoni më parë Mbretërinë e Perëndisë dhe të gjitha këto do t’ju shtohen” (Mt. 6:33), ky Zot nuk i lë fëmijët e Tij pa gjërat e nevojshme. Ai kujdeset edhe për trupin, edhe për shpirtin; jep edhe bukë, edhe paqe. Plotësia nuk gjendet në grumbullimin e pasurive, por në lidhjen me Krijuesin. Vetëm tek ai ne mund të gjejmë paqe, sepse vetëm ai është paqja jonë (Efes. 2:14).

Ne e dimë çfarë do të thotë Ngjallje. Jo vetëm teorikisht, por nga përvoja e jetuar. Kisha jonë Orthodhokse kaloi Golgothanë e saj. Për dekada me radhë u përpoqën të asgjësonin çdo gjurmë besimi. Kishat u shkatërruan, klerikë u martirizuan, fjala “Perëndi” u ndalua. Kisha dukej e vdekur, e varrosur në një varr të vulosur. E megjithatë, ajo u ngjall. Guri u rrokullis. Besimi lulëzoi përsëri nga rrënojat. Kishat u rindërtuan. Komunitetet u rikrijuan. Kjo nuk ishte arritje njerëzore, ishte fuqia e Krishtit të Ngjallur që vepron brenda historisë.

III

Kisha bën thirrje përsëri për Ngjallje – këtë herë për Ngjalljen e çdo shpirti. Krishti i Ngjallur qëndron sot përpara nesh, siç qëndroi përpara Thomait, dhe na tregon plagët e Tij. Nuk i fsheh. Nuk i heq. I mban përgjithmonë mbi vete, si dëshmi e përjetshme dashurie. Këto plagë thonë: “Kaq shumë të desha, saqë pranova dhimbjen më të rëndë për ty”. Çdo person, çdo shpirt, është aq unik, aq i papërsëritshëm, saqë Perëndia do të vinte edhe sikur të ishte vetëm për një njeri.

Të dashur vëllezër dhe motra! Në këtë botë të trazuar na mjafton vetëm një siguri: Krishti u ngjall dhe jeton. Dhe nëse jeton Krishti, jetojmë edhe ne. Dhe nëse jetojmë në Krishtin, atëherë as vdekja, as ligësia, as varfëria, as përndjekja nuk mund të na ndajë nga dashuria dhe nga paqja e Tij. Dita e Ngjalljes së Zotit tonë Jisu Krisht – shkruan shën Joan Gojarti – është themeli i paqes. Sepse nga Ngjallja e Krishtit vjen Paqja e Perëndisë. Ngjallja dhe Paqja e Perëndisë nuk është një dogmë abstrakte, por një thirrje personale.

Le t’i përgjigjemi, pra, thirrjes: “Paqe në ju” me të gjithë jetën tonë. Le të bëhemi ne vetë paqebërës në një botë që po shkatërrohet nga urrejtja, nga lakmia dhe egoizmi. Por, që të bëhemi paqebërës, fillimisht duhet të kemi paqe brenda nesh. Bëni paqe në zemrën tuaj – thotë shën Serafimi i Sarovit – dhe mijëra njerëz rreth jush do të shpëtohen. Sepse nuk ka paqe aty ku është e keqja, por vetëm aty ku është i pranishëm Perëndia. Le ta gjejmë këtë paqe të Perëndisë në zemrat tona dhe pastaj ta përhapim atë kudo, sëbashku me lajmin e gëzuar se Krishti u Ngjall dhe i dhuroi botës jetën dhe paqen e përjetshme.

Me dashuri në Zotin e Ngjallur,

+ Joani

Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë

 

Etiketa: besimtarëJoanKryesore1pashke

Lajme të lidhura

Bordi i Transparencës rrit çmimin e karburantit, nafta shkon 224 lekë për litër
Aktualitet

Bordi i Transparencës ndryshon sërish çmimin e karburanteve, ja sa do të shiten nafta dhe benzina

13:51 - 11/04/26
Gara për Bashkinë e Tiranës, kush është kandidati i Partisë Demokratike? Berisha ‘shmang’ emrat
Aktualitet

Gara për Bashkinë e Tiranës, kush është kandidati i Partisë Demokratike? Berisha ‘shmang’ emrat

13:40 - 11/04/26
Nën akuzë dhe pezullim nga detyra/ GJKKO vendos sot masën ndaj Jonaid Myzyrit, kreu  i KPP-së
Aktualitet

Shkeljet me tenderin 2.2 milionë euro/ SPAK kërkon pushimin e çështjes ndaj ish-kreut të Prokurimeve Publike, Jonaid Myzyri

13:25 - 11/04/26
Para
Rrëfimi i ish-zv/drejtorit të AKSHI-t në SPAK: Drejtori i ri Igli Tafa është njeri i besuar i Ermal Beqirit

Rrëfimi i ish-zv/drejtorit të AKSHI-t në SPAK: Drejtori i ri Igli Tafa është njeri i besuar i Ermal Beqirit

Discussion about this post

TË FUNDIT

Bordi i Transparencës rrit çmimin e karburantit, nafta shkon 224 lekë për litër
Aktualitet

Bordi i Transparencës ndryshon sërish çmimin e karburanteve, ja sa do të shiten nafta dhe benzina

13:51 - 11/04/26

Bordi i Transparencës ka publikuar çmimet e reja të karburanteve. Që nga ora 16:00 e ditës së sotme, nafta me...

Lexo më shumë
Gara për Bashkinë e Tiranës, kush është kandidati i Partisë Demokratike? Berisha ‘shmang’ emrat

Gara për Bashkinë e Tiranës, kush është kandidati i Partisë Demokratike? Berisha ‘shmang’ emrat

13:40 - 11/04/26
Nën akuzë dhe pezullim nga detyra/ GJKKO vendos sot masën ndaj Jonaid Myzyrit, kreu  i KPP-së

Shkeljet me tenderin 2.2 milionë euro/ SPAK kërkon pushimin e çështjes ndaj ish-kreut të Prokurimeve Publike, Jonaid Myzyri

13:25 - 11/04/26
Berisha: Rama po grabit 4 miliardë euro me portin e Durrësit, plus 1 miliard gjobë ndaj shqiptarëve për portin e ri

Berisha: Rama po grabit 4 miliardë euro me portin e Durrësit, plus 1 miliard gjobë ndaj shqiptarëve për portin e ri

12:58 - 11/04/26
Nga primaret te protesta e 17 prillit, Berisha zbulon skenarët dhe kriteret e zgjedhjeve

Nga primaret te protesta e 17 prillit, Berisha zbulon skenarët dhe kriteret e zgjedhjeve

12:55 - 11/04/26

GIJOTINA

Gijotina është media e pavarur, e iniciuar nga gazetarë profesionistë dhe të rinj, të karakterizuar nga paanshmëria, që sjellin tek ju gjithçka ndodh në Shqipëri, me lajme të shpejta, cilësore, investigime, fact-checking dhe analiza, duke denoncuar çdo shkelje apo abuzim ndaj qytetarëve shqiptarë.

KONTAKT

  • Contact page
  • [email protected]
  • [email protected]
  • [email protected]

Harta e Faqes

Nuk ka rezultat
View All Result
  • Lajme
    • Politikë
    • Aktualitet
    • Ekonomi & Sociale
    • Kosovë & Rajon
    • Botë
  • Fact-Checking & Analize
  • OP-ED
    • Opinion
    • Editorial
    • Sondazh
  • Intervista
  • Sport
  • Të tjera
    • Art & Kulturë
    • Teknologji
    • Shëndet & Fitness
    • Kuriozitete
    • Show Biz
    • Lifestyle
    • Horoskopi
    • Moti

© 2022 Gijotina Dev By Techzero1.com