Ish-presidenti amerikan Barack Obama ka zbuluar se gjatë mandatit të tij në detyrë si presidenti i SHBA-së, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u përpoq ta tërhiqte atë në një luftë me Iranin.
Në një intervistë me revistën amerikane ‘The New Yorker’, Obama theksoi se kishte kohë që kishte mosmarrëveshje me kryeministrin izraelit, duke pretenduar se Netanyahu kishte përdorur të njëjtat argumente që po përdor tani kundër presidentit aktual Donald Trump për ta bindur atë të bënte luftë kundër Iranit.
Obama thekoi se qasja e udhëheqësit izraelit ishte konfuze.
“Netanyahu mund t’i ketë arritur qëllimet e tij duke tërhequr SHBA- në në luftë. Por nëse kjo është e mirë për popullin izraelit apo për popullin amerikan është e diskutueshme.”, tha Obama.
Obama gjithashtu preku retorikën gjithnjë e më të ashpër të Trump ndaj Iranit, duke vënë në dukje se udhëheqja amerikane duhet të shmangë vendimet e nxitura nga “arroganca dhe interesi i pastër vetjak”.
Netanyahu ishte një kundërshtar i vendosur i marrëveshjes bërthamore midis Iranit dhe fuqive botërore, e nënshkruar në vitin 2015 gjatë administratës Obama dhe e anuluar nga Trump në vitin 2018.
Përtej çështjes së menjëhershme të Iranit, Obama paralajmëroi se ndryshimet aktuale gjeopolitike mund të kenë pasoja afatgjata për stabilitetin global. Ai vuri në dukje tendosjet në aleancat tradicionale dhe paralajmëroi se sistemi ndërkombëtar i ndërtuar pas Luftës së Dytë Botërore, i ankoruar nga institucione si NATO, është nën presion.
Obama diskutoi gjithashtu sfidat më të gjera me të cilat përballet lidershipi global i SHBA-së, duke argumentuar se rindërtimi i besimit me aleatët mund të jetë më i vështirë sesa adresimi i çështjeve të brendshme.
Ai theksoi se ndikimi amerikan historikisht është varur jo vetëm nga pushteti, por edhe nga besueshmëria dhe vlerat, duke paralajmëruar se politikat jokonsistente rrezikojnë ta dobësojnë atë themel. Ai theksoi më tej se pa angazhim aktiv të SHBA-së, çështje si të drejtat e njeriut marrin më pak vëmendje globale.
Ndërsa kritikoi zhvillimet e fundit, Obama hodhi poshtë idenë se politikat aktuale pasqyrojnë një ndryshim të gjerë në opinionin publik të SHBA-së, duke pohuar se shumë amerikanë ende mbështesin qasjen e tij ndaj marrëdhënieve ndërkombëtare.










Discussion about this post