Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, zhvilloi një takim me qytetarë dhe biznese në zonën e Saukut, ku ngriti shqetësimin për krizën e besimit që, sipas saj, ka kapluar ekonominë shqiptare dhe po reflektohet drejtpërdrejt në jetën e përditshme të familjeve.
Në videon e publikuar në rrjetet sociale, Tabaku u shpreh se gjatë më shumë se një ore takimesh me biznese, pensionistë, të rinj dhe familjarë, shqetësimi kryesor ishte i njëjtë: rënia e konsumit, varfërimi i qytetarëve dhe pamundësia për të përballuar jetesën me punë të ndershme.
Tabaku tha se edhe zona pranë qendrës së Tiranës dhe jo tradicionalisht të varfra, sot po përballen me të njëjtat vështirësi që ndihen në të gjithë Shqipërinë.
Tabaku:
“Mbi një orë në Sauk me biznese, qytetarë, familjarë, me pensionistë, me të rinj… të gjithë kanë të njëjtin shqetësim. Këdo që takon kanë të njëjtin shqetësim sot.
Qytetarët konsumojnë më pak. Sot shitet më pak nëpër biznese. Qytetarët janë më të varfër. Ka një krizë të madhe besimi. Besimi në ekonomi, që reflektohet edhe nga të dhënat, që besimi në ekonomi ka rënë.
Nuk ka rëndësi në bie 1, 2, 3 apo 5 pikë. Rëndësi ka që ekonomia shqiptare po lëngon.
Dhe kjo krizë besimi, që reflektohet në shpenzime, në më pak të ardhura për familjet, në biznese që shesin më pak, në konsum më pak dhe në çdo tregues tjetër në ekonomi, është problemi i vërtetë i ekonomisë shqiptare.
Kjo zonë këtu nuk mbahet për një zonë varfër. Është pak kilometra larg qendrës së Tiranës. Nuk mbahet sigurisht as për nga më të pasurat, por këtu reflektohet pasqyra e Shqipërisë. Këtu reflektohet ajo që ndjen sot çdo qytetar: vështirësinë për të mbyllur muajin.
Fatkeqësisht Shqipëria është bërë tashmë vendi i pakicës. Nuk punon qeveria për shumicën e qytetarëve.
Është e pamundur sot, në Tiranë, në çdo qytet tjetër, t’ia dalësh me punë të ndershme. Këtë duhet të ndryshojmë: sistemin e pakicës.
Shqipëria duhet të jetë e mundësive për këdo, për çdo shqiptar, që me punë të ndershme, me dinjitet, do t’ia dalë.
Për këtë arsye protestojmë me datën 8 maj.”










Discussion about this post