Prapaskenat që po dalin në dritë pas shkarkimeve të bujshme te skuadra e AC Milanit dëshmojnë se situata brenda klubit kuqezi kishte degraduar përtej çdo limiti profesional.
Sipas raportimeve të fundit të bëra publike nga mediat italiane, tensioni i lartë mes trajnerit Massimiliano Allegri dhe këshilltarit të lartë të presidencës, Zlatan Ibrahimovic, ka arritur kulmin në një përplasje të ashpër që ka ndodhur në një ambient publik. Ngjarja ka degraduar aq keq sa dy protagonistët është dashur të ndahen fizikisht për të shmangur një konflikt të rëndë me grushte midis tyre. Ka qenë pikërisht ish-drejtori sportiv, Igli Tare, ai që ka ndërhyrë menjëherë për të futur trupin e tij mes trajnerit dhe gjigantit suedez, duke parandaluar kështu që sherri verbal në mes të restorantit të kthehej në një përleshje të vërtetë fizike.
Kjo përplasje e fundit është thjesht maja e ajsbergut të një marrëdhënieje të thyer që daton që nga koha kur Ibrahimovic luante nën urdhrat e Allegrit, por që kohët e fundit ishte rindezur për shkak të divergjencave të thella mbi strategjinë e klubit.
Tanimë raportohet se dy liderët e Milanit nuk flisnin fare me njëri-tjetrin prej javësh, që pas një debati të fortë të nisur në fillim të muajit prill për zgjedhjen e portierit të tretë për sezonin e ardhshëm. Përplasja u bë akoma më e rëndë kur Allegri zbuloi se Ibrahimovic ndërhynte direkt në kompetencat e tij, duke u bërë thirrje telefonike lojtarëve kryesorë si Rafael Leao dhe Youssouf Fofana për t’u dhënë udhëzime taktike pas shpine. Ky sherr skandaloz në restorant konfirmon përfundimisht se atmosfera në zyrat kuqezi ishte bërë tërësisht toksike dhe e papërballueshme, duke çuar në spastrimin radikal të strukturave drejtuese të klubit.
Prapaskenat e fundit nga shtëpia e AC Milanit zbulojnë një thyerje të thellë në nivelet e larta drejtuese, ku përplasja e strategjive mes drejtorit Igli Tare dhe administratorit të deleguar Giorgio Furlani solli kaosin e brendshëm.
Krisja definitive mes të dyve duket se ka nisur me transferimin e Ricci-t, një lëvizje e kryer e krejtësisht nga Furlani pa marrë më parë miratimin e Tares dhe trajnerit Allegri. Ky operacion u favorizua dukshëm nga raportet e ngushta, pasi agjenti i lojtarit, Busardò, njihet si mik i afërt me ish-administratorit kuqezi.
Distanca mes palëve u thellua akoma më tej në zgjedhjen e lojtarëve për mesfushën, ku Furlani vendosi veton kundër afrimit të Granit Xhakës, i cili ishte përzgjedhja kryesore e Tares. Në vend të tij, Busardò mori një mandat të ri direkt nga Furlani për të nisur bisedimet për Hojlund, duke përgatitur paralelisht edhe planin rezervë që mbante emrin e Harder.
Por, tensionet arritën kulmin kur Furlani bllokoi përfundimisht negociatat e nisura nga Tare për transferimin e Dusan Vlahovic-it, duke përdorur si argument arsyet financiare dhe balancat e rrepta të buxhetit.
Ky bllokim e la klubin të zbuluar në ditët e fundit të merkatos, çka e detyroi administratorin të futej në një situatë paniku paniku. Për të shpëtuar imazhin, Furlani shpenzoi plot 35 milionë euro për Nkunku-n në momentet e fundit të afatit kalimtar, duke shfrytëzuar marrëdhëniet e tij të shkëlqyera me drejtuesit e Chelsea-t.
Kjo strategji e personalizuar e Furlanit u konfirmua edhe me bllokimin e shitjes së Gimenez-it, të cilin ai vetë e kishte blerë për 31 milionë euro në merkaton e dimrit të vitit 2025. Ky refuzim erdhi si një lëvizje thjesht politike brenda klubit, me qëllim që Furlani të mos humbiste besueshmërinë dhe peshën e tij në sytë e pronarit të AC Milan, duke konfirmuar se merkatoja kuqezi nuk udhëhiqet më nga parimet sportive, por nga lojërat e brendshme të pushtetit.
gijotina.com/










Discussion about this post