Protesta e qytetarëve ka vijuar për të 19-ën ditë radhazi, ndërsa këtë të enjte tubuesit u mblodhën pranë godinës së Kuvendit të Shqipërisë gjatë zhvillimit të seancës plenare.
Protestuesit u pozicionuan pranë hyrjes kryesore të Kuvendit, duke penguar kalimin e deputetëve të mazhorancës dhe duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Për shkak të situatës së krijuar, shumica e deputetëve socialistë janë larguar nga godina përmes hyrjeve alternative, duke shmangur kontaktin e drejtpërdrejtë me protestuesit. Të njëjtën rrugë ka ndjekur edhe kryeministri Edi Rama, i cili është larguar nga Kuvendi përmes një daljeje tjetër, larg hyrjes kryesore ku ishte përqendruar protesta.
Ndërkohë, deputeti socialist Ardit Bido zgjodhi të mos largohej menjëherë nga zona, duke u përballur me protestuesit që e rrethuan dhe i drejtuan akuza e thirrje kundërshtuese.
Gjatë incidentit, protestuesit i janë drejtuar deputetit me thirrje të forta “Hajdut”, ndërsa ai ka reaguar duke i pyetur se për çfarë e akuzonin konkretisht. Situata është tensionuar më tej kur disa persona janë afruar pranë tij, duke detyruar ndërhyrjen e forcave të policisë.
Efektivët kanë krijuar një kordon sigurie për të larguar deputetin nga zona dhe për të shmangur përshkallëzimin e situatës. Gjatë ndërhyrjes, një protestues është neutralizuar nga policia pasi tentoi të afrohej pranë efektivëve që po shoqëronin deputetin.
Nuk raportohet për të lënduar, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë ende një reagim zyrtar lidhur me incidentin. Videoja e ngjarjes po qarkullon në rrjetet sociale dhe ka ngjallur reagime të shumta në opinionin publik.
Protesta pranë Kuvendit u zhvillua nën masa të shtuara sigurie, ndërsa tensionet mes protestuesve dhe përfaqësuesve të mazhorancës vijojnë të mbeten të larta.
gijotina.com/










Discussion about this post