Një zjarr i fuqishëm që përfshiu një pallat 10-katësh në qytetin e Antwerpit, Belgjikë, ka shkaktuar një tragjedi të rëndë.
Të paktën gjashtë persona kanë humbur jetën, ndërsa disa të tjerë kanë mbetur të plagosur, disa prej tyre në gjendje të rëndë.
Flakët shpërthyen në lagjen Linkeroever, ndërsa re të dendura tymi u përhapën me shpejtësi në të gjithë ndërtesën, duke bllokuar dhjetëra banorë brenda apartamenteve të tyre.
Sipas policisë belge, në pallat jetojnë më shumë se 200 persona.
Ekipet e emergjencës evakuuan 80 apartamente, ndërsa kontrolluan derë më derë për të gjetur persona të bllokuar.
Autoritetet dyshojnë se zjarri u shkaktua nga një problem teknik në katin përdhes, ndërsa përhapja e shpejtë e tymit e bëri shumë të vështirë evakuimin.
Një prej banorëve tregoi se ai dhe familja e tij u detyruan të izoloheshin në apartament dhe të prisnin në ballkon derisa zjarrfikësit i shpëtuan me shkallë.
Një tjetër banor konfirmoi se ish-kryetari i Bashkisë së Antwerpit, Bob Cools, dhe bashkëshortja e tij u evakuuan me sukses dhe u dërguan në spital.
Deri në mesditë, autoritetet njoftuan se zjarri ishte vënë pothuajse plotësisht nën kontroll, ndërsa hetimet për shkaqet e sakta të ngjarjes vazhdojnë.
Kryeministri belg, Bart De Wever, shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave, ndërsa Parlamenti flamand e nisi seancën e së mërkurës me një minutë heshtje në nderim të personave që humbën jetën në këtë tragjedi.








Discussion about this post