Një histori mbijetese e jashtëzakonshme vjen nga Venezuela, ku një burrë është nxjerrë i gjallë nga rrënojat e një ndërtese të shembur, tetë ditë pas tërmeteve të fuqishme që goditën vendin më 24 qershor.
Hernan Gil u shpëtua pas një operacioni të ndërlikuar kërkim-shpëtimi, më shumë se 100 orë pasi ekipet e emergjencës arritën të lokalizonin vendndodhjen e tij nën rreth 140 ton rrënoja.
Në operacion morën pjesë qindra efektivë nga disa shtete, përfshirë Venezuelën, Kilin, Kosta Rikën, El Salvadorin, Meksikën, Portugalinë dhe Shtetet e Bashkuara, në një ndërhyrje që u cilësua jashtëzakonisht e vështirë.
Një zjarrfikës kilian e përshkroi misionin si një nga më kompleksët dhe teknikisht më sfiduesit e karrierës së tij, pasi gjatë punës disa herë strukturat e shembura rrezikuan si ekipet e shpëtimit ashtu edhe vetë të bllokuarin.
Pasi u arrit kontakt vizual me të përmes një kamere të vogël, ekipet i siguruan ujë, maskë mbrojtëse dhe serum, ndërsa sipas mjekëve gjendja e tij rezultoi e qëndrueshme dhe pa dëmtime serioze.
Sipas dëshmive të ekipit të shpëtimit, Hernan Gil komunikonte vazhdimisht me ta dhe madje i inkurajonte të mos ndaleshin gjatë operacionit të vështirë.
Ai ndodhej në një kabinë betoni në bodrumin e një parkingu pranë qendrës tregtare “Galerías Playa Grande”, në qytetin Catia La Mar, kur ndodhën tërmetet, ndërsa struktura ku ishte strehuar krijoi një hapësirë mbrojtëse që i shpëtoi jetën.
Autoritetet raportojnë se bilanci i tërmeteve ka arritur në rreth 2.300 viktima, ndërsa dhjetëra mijëra persona vijojnë të rezultojnë të zhdukur, duke e bërë këtë një nga fatkeqësitë më të rënda natyrore të viteve të fundit në rajon.










Discussion about this post