Një atentat me armë zjarri tronditi mbrëmjen e së sotme Shkodrën, ku mbeti i vrarë Aleksandër Koçeku.
Viktima u gjet pa shenja jete brenda automjetit të tij në aksin rrugor Prekal–Kir, ndërsa autorët e krimit nuk janë identifikuar ende.
Ngjarja ka ngritur dyshime se mund të lidhet me një hakmarrje, pasi emri i Koçekut ishte përfshirë në hetimet për vrasjen e Pavlin Prekës, një tjetër ngjarje e rëndë kriminale e ndodhur në Shkodër.
Sipas dosjes hetimore, Prokuroria dyshon se Aleksandër Koçeku, së bashku me Vasel Koçekun dhe Klaudio Lisajn, kanë marrë pjesë në planifikimin dhe ekzekutimin e Pavlin Prekës.
Sipas hetimeve, motivi i asaj vrasjeje lidhej me një konflikt familjar.
Dyshohej se Pavlin Preka kërkonte të merrte për bashkëshorte vajzën e Vasel Koçekut pa pëlqimin e saj, çka kishte sjellë përshkallëzimin e konfliktit mes palëve.
Për këtë arsye, një nga pistat që po verifikohet është edhe ajo e hakmarrjes, megjithëse deri tani grupi hetimor nuk ka konfirmuar zyrtarisht motivin e atentatit ndaj Aleksandër Koçekut.
Ndërkohë, vrasja ka rikthyer në vëmendje edhe ecurinë e hetimeve për ekzekutimin e Pavlin Prekës.
Pavarësisht se Prokuroria ka deklaruar se ka dyshime të bazuara ndaj personave të përfshirë, çështja vijon të jetë në hetim.
Autoritetet kanë bërë të ditur se po kryhen veprime intensive hetimore për zbardhjen e atentatit të mbrëmjes së sotme, identifikimin e autorëve dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.









Discussion about this post