Vllaznia i ka dhënë lamtumirën aventurës europiane që në turin e parë të Ligës së Konferencës, pasi u mposht me rezultatin e thellë 5-0 nga Malisheva, skuadra kosovare e drejtuar nga ish-trajneri i shkodranëve, Thomas Brdariç.
Në stadiumin e Malishevës, vendasit dominuan nga minuta e parë, duke krijuar një sërë rastesh përpara se Uka të zhbllokonte sfidën në minutën e 34-t.
Në fundin e pjesës së parë, Ibishi dyfishoi shifrat, duke e dërguar ekipin vendas në pushim me avantazhin 2-0.
Në fraksionin e dytë, Vllaznia u shpërbë totalisht. Uka realizoi golin e dytë personal në minutën e 52-të, Veliu shënoi të katërtin vetëm gjashtë minuta më vonë, ndërsa Dulaj vulosi “manitën” në minutën e 89-të.
Skuadra shkodrane u shfaq pa ide në lojë, me shumë gabime në mbrojtje dhe pa asnjë reagim në sulm, duke pësuar një nga humbjet më të rënda në historinë e saj në arenën europiane.
Nga ana tjetër, Malisheva siguroi me meritë kualifikimin në turin e dytë të Ligës së Konferencës, ndërsa Thomas Brdariç festoi një sukses të madh pikërisht përballë ish-ekipit të tij. Për Vllazninë, eliminimi i hershëm dhe mënyra se si erdhi kjo humbje pritet të sjellin shumë diskutime në ditët në vijim.










Discussion about this post