Dinamo dhe Egnatia nuk arritën të marrin rezultate pozitive në ndeshjet e para të raundit të tretë të kompeticioneve europiane, duke u mposhtur në transfertë, por duke lënë ende të hapur çështjen e kualifikimit për sfidat e kthimit.
Dinamo u mund minimalisht 1-0 nga Auda në Riga, në ndeshjen e parë të raundit të tretë të UEFA Conference League. Skuadra e drejtuar nga Ilir Daja zhvilloi një pjesë të parë të ekuilibruar, ku të dyja ekipet krijuan raste, por pa arritur të gjenin golin.
Në pjesën e dytë, dinamovitët u shfaqën më kërkues, por pa konkretizuar mundësitë e krijuara. Letonezët kaluan në avantazh në minutën e 68-të me Diedu, ndërsa situata u komplikua edhe më shumë për Dinamon pas kartonit të kuq të Përrndrecës, duke e detyruar skuadrën shqiptare ta mbyllte takimin me 10 lojtarë. Rezultati mbeti 1-0 deri në fund, ndërsa ndeshja e kthimit do të luhet më 11 gusht, në orën 21:00, në stadiumin “Elbasan Arena”, ku Dinamo City do të synojë përmbysjen dhe kualifikimin në fazën play-off të Conference League.
Edhe Egnatia u largua me humbje nga transferta ndaj Shamrock Rovers, duke u mposhtur 3-1 në ndeshjen e parë të raundit të tretë të Europa League.
Vendasit kaluan në avantazh në minutën e 29-të me Burke nga pika e penalltisë, por kampionët e Shqipërisë reaguan përpara pushimit.
Në minutën e 40-të, Jaime barazoi shifrat pasi fillimisht humbi penalltinë, por përfitoi nga një pasiguri e portierit vendas për ta dërguar topin në rrjetë.
Megjithatë, në pjesën e dytë Shamrock Rovers vendosi fatin e takimit duke shënuar dy gola të shpejtë. Lopes realizoi në minutën e 55-të, ndërsa Greene dyfishoi avantazhin vetëm dy minuta më vonë, duke vulosur fitoren 3-1.
Ndeshja e kthimit do të zhvillohet më 11 gusht, në orën 21:00, ku Egnatia do të kërkojë të përmbysë disavantazhin përpara tifozëve të saj dhe të mbajë gjallë ëndrrën europiane.










Discussion about this post