Kompania “Soft & Solution”, në pronësi të biznesmenit Ermal Beqiri, ka fituar një tjetër kontratë publike, këtë herë nga KESH. Procedura, me vlerë rreth 10 mijë euro, lidhet me mirëmbajtjen e sistemit financiar të KESH-it. Tenderi është zhvilluar në një kohë kur Beqiri ishte në kërkim nga autoritetet, ndërsa ndaj tij vijojnë hetimet e Prokurorisë së Posaçme për çështjen e tenderave të AKSHI-t. Ndërkaq, personi përgjegjës për procedurën pranë KESH-it ka qenë Joana Bushi, ish-bashkëpunëtore e afërt e ish-zv.kryeministres Belinda Balluku.
Të dhënat e zbuluara së fundmi treguan qartësisht se biznesmeni në arrati, Ermal Beqiri, është shumë i dhënë pas jetës luksoze. Prokuroria e Posaçme beson se shpenzimet e tij për avionë privatë e kështjellë në Francë kanë si burim tenderat e manipuluar në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit. Fondet publike duket se janë burim i pashtershëm për Beqirin, edhe pse ky kishte më shumë se 6 muaj në kërkim, para se të arrestohej në Francë, në fund të korrikut.
Pak javë më parë, e konkretisht në mesin e muajit qershor 2026, kompania e tij kryesore, ‘Soft & Solution”, u shpall fituese në një tender të zhvilluar nga Korporata Elektro-Energjitike Shqiptare, KESH, për mirëmbajtjen e sistemit financiar. Duhet pranuar se fondi për këtë tender ishte minimalist për standardet e procedurave abuzivë të fituara nga Ermal Beqiri pranë AKSHI-t. Ai mori vetëm 10 mijë euro, një shumë që mund të përdorej prej tij vetëm për karburantin e avionit, me të cilin po fluturonte para se të arrestohej në Francë.
Megjithatë, procedura e zhvilluar nga KESH-i ka një detaj interesant. Personi përgjegjës për tenderin e fituar nga ‘Soft & Solution” është Joana Bushi, një nga bashkëpunëtoret më të ngushta të ish-zv.kryeministres, Belinda Balluku. Joana Bushi ka qenë shumë pranë Ballukut, derisa kjo e fundit u largua nga drejtimi i Ministrisë së Infrastrukturës, në shkurt 2026, në vijim të hetimeve që po zhvillohen nga Prokuroria e Posaçme. Tashmë, zonja Bushi është stacionuar pranë Korporatës Elektroenergjitike, me detyrë menaxhimin e tenderave, ndërkohë që është pjesë e dosjes hetimore për “pastrim parash” të ish-shefes së saj, Belinda Balluku.










Discussion about this post