Një ndërtim pa leje në zonën e Shën Janit, në Karaburun, është prishur pasditen e sotme gjatë një operacioni të përbashkët të Policisë së Shtetit dhe IKMT-së.
Në operacion morën pjesë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, dhe Kryeinspektori i IKMT-së, Afrim Qendro.
Bëhet fjalë për një objekt prej druri, i cili po ndërtohej si “beach bar”.
Sipas Policisë, objekti ishte ndërtuar nga shtetasit O. Sh. dhe S. D., të cilët ishin proceduar penalisht edhe më parë dhe kishin tejkaluar afatin e përcaktuar për prishjen vullnetare të ndërtimit.
Gjatë operacionit u arrestua njëri prej ndërtuesve, shtetasi S. D., ndërsa ortaku i tij, O. Sh., u shpall në kërkim. Policia vijon punën për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Gjatë një prononcimi, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Skënder Hita, dhe Kryeinspektori i IKMT-së, Afrim Qendro, u bënë thirrje qytetarëve të mos ndërmarrin iniciativa për ndërtime pa leje, duke paralajmëruar zbatimin e ligjit ndaj shkelësve.
Ndërkohë, Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë vijon veprimet hetimore për të nxjerrë para përgjegjësisë ligjore edhe persona të tjerë që dyshohet se kanë lejuar apo kanë dhënë leje në kundërshtim me ligjin.










Discussion about this post