Egnatia ka rishkruar sot historinë e futbollit shqiptar me një fitore në turin e tretë të Ligës së Europës përballë Shamrock Rovers.
Rrogozhinasit kanë fituar me shifrat e thella 5-1, duke përmbysur humbjen 3-1 të ndeshjes së parë dhe duke siguruar play-off në turneun e dytë për nga rëndësia në Europë.
Kësisoj, edhe nëse mundet aty, skuadra e drejtuar nga Nevil Dede ka garantuar të paktën fazën në grup të Ligës së Konferencës.
Thuajse gjithçka ka folur për ekipin rrogozhinas në këtë sfidë me një breshëri rastesh e golash që në pjesën e parë, e cila u njollos vetëm nga kartoni i kuq i Ndrecës.
Goli i miqve dhe sulmet e tyre në fund thjesht e bënë pak më emocionuese sfidën, pasi rrogozhinasit kishin vendosur në kasafortë kualifikimin historik.
Edhe Dinamo e Ilir Dajës vazhdon të mrekullojë në arenën europiane. “Nëndetësja” triumfoi me rezultatin 4-0, në duelin e kthimit ndaj Audas, duke i dhuruar një leksion të pastër futbolli letonezëve.
Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 2-0, falë golave të Qardakut dhe Qefalias, ndërkohë që fragmentin e dytë të lojës shënuan edhe Malomo dhe Fadairo, duke “vulosur” këtë kualifikim mëse të merituar.
Kujtojmë që në “Play Off”, Dinamo do të përballet me qipriotët e Pafos, ku aktivizohet edhe mbrojtësi brazilian David Luiz.
Vlen të theksohet fakti se kjo ishte hera e parë në histori, që Dinamo, arrin të kalojë 3 ture radhazi. Sezonin e shkuar shkoi deri në “Play Off”, ku u përball me Jagelonian, por e nisi nga turi i dytë, pasi në turin e parë nuk luajti, duke u kualifikuar në tavolinë.









Discussion about this post