Topi legjendar i përdorur në ndeshjen mes Argjentinës dhe Anglisë në çerekfinalen e Botërorit 1986 është shitur në një ankand në Dallas për rreth 2.87 milionë euro. Bëhet fjalë për topin Adidas Azteca me të cilin Diego Armando Maradona shënoi dy nga golat më të famshëm në historinë e futbollit.
Me këtë top, Maradona realizoi fillimisht golin e diskutueshëm të “Dorës së Zotit”, përpara se të shënonte edhe atë që konsiderohet gjerësisht si “Goli i Shekullit”. Argjentina fitoi 2-1 ndaj Anglisë dhe më pas vazhdoi rrugëtimin deri te triumfi në Kupën e Botës.
Autenticiteti i topit ishte konfirmuar përmes krahasimeve fotografike nga ndeshja, ndërsa ankandi u zhvillua nga shtëpia Heritage Auctions. Objekti u shit për 3.35 milionë dollarë, rreth 2.87 milionë euro, një shumë e jashtëzakonshme, por dukshëm më e ulët se parashikimet fillestare, të cilat flisnin për një çmim prej të paktën 10 milionë dollarësh.
Topi kishte qëndruar për 36 vite në pronësi të arbitrit tunizian Ali Bin Nasser, i cili drejtoi atë sfidë historike. Në vitin 2022, ai e kishte shitur për rreth 2.34 milionë euro, ndërsa tashmë objekti ka ndryshuar sërish pronar.
Megjithatë, topi i “Dorës së Zotit” nuk arriti të vendoste rekordin absolut për një top sportiv. Ky rekord vazhdon t’i përkasë topit me të cilin Shohei Ohtani realizoi ‘home run’-in e tij të 50-të, i shitur për më shumë se 3.76 milionë euro.
Sa u përket relikeve sportive në përgjithësi, rekordi mbetet shumë më i lartë. Fanella e New York Yankees e veshur nga legjenda Babe Ruth në vitin 1932 është shitur për mbi 20.65 milionë euro.
Ndërkohë, edhe fanella e Maradonës nga e njëjta ndeshje Argjentinë-Angli në vitin 1986 është shitur më parë për një shumë marramendëse. Në vitin 2022, ajo u ble në ankandin e Sotheby’s për rreth 7.96 milionë euro.
Kështu, edhe katër dekada më vonë, objektet që lidhen me Maradonën dhe atë pasdite historike në Meksikë vazhdojnë të kenë një vlerë të jashtëzakonshme në tregun e koleksionistëve.










Discussion about this post