Nënkryetari i PD, Belind Këlliçi, ironizon platformën më të fundit të prezantuar nga kryeministri Edi Rama, pas takimit me ministrat dhe drejtuesit e qarqeve në Pogradec, me emrin “Pasqyra Albania”
“Cila është zgjidhja që Pasqyra e Edi Ramës do të japë për pensionet që nuk mjaftojnë, janë më të ulëtat në rajon e në Europë, që i kanë lënë të moshuarit në skamje dhe pa dinjitet?!
A e zgjidh Pasqyra hallin e një të riu a një çifti të rinjsh që duhet të punojnë 30 vite, pra pagat e 30 viteve pa asnjë kosto tjetër, për të blerë një apartament?!”, shkruan ndër të tjera Këlliçi.
Reagimi:
Edi Rama tha se ka gjetur zgjidhjen për hallet e njerëzve dhe të vendit, përmes një pasqyre mrekullibërëse. Pra një platformë do i japë fund problemeve. Ajo quhet Pasqyrë Albania. Kush ka një shqetësim, shkruan aty, dhe sakaq, u krye halli!
Po cila do të jetë zgjidhja vallë që kjo pasqyrë do të japë për çmimet në Shqipëri që janë më të larta se sa mesatarja e BE-së dhe më të lartat në rajon, ndërkohë që fuqia jonë blerëse është më e ulëta?!
Cila është zgjidhja që Pasqyra e Edi Ramës do të japë për pensionet që nuk mjaftojnë, janë më të ulëtat në rajon e në Europë, që i kanë lënë të moshuarit në skamje dhe pa dinjitet?!
A e zgjidh Pasqyra hallin e një të riu a një çifti të rinjsh që duhet të punojnë 30 vite, pra pagat e 30 viteve pa asnjë kosto tjetër, për të blerë një apartament?!
Nëse shumica e qytetarëve sot janë ngritur kundër korrupsionit masiv, cila është zgjidhja që jep Pasqyra, kur Edi Rama mbron aferat me votë në Kuvend dhe pengon drejtësinë?!
Kur s’ka ilaçe në spital, do të ta sigurojë këtë platforma?!
Po kur pasuritë publike trajtohen si të ishin pronat private të Edi Ramës, mjafton të shkruash tek Pasqyra dhe vjen zgjidhja?!
Po për qindra milionë euro që u dhanë për inceneratorët e vazhdojnë jepen ndërkohë që nuk kemi inceneratorë dhe Tirana është e mbytur në mbetje, e jep zgjidhjen Pasqyra?!
Po për milionat e grupit të strukturuar kriminal, të AKSH-it, të preferuarit e Edi Ramës që i merr në mbrojtje, çfarë do të ofrojë Pasqyra?!
Po nëse dikush kërkon drejtësi dhe barazi, dhe shesh që miqtë e Olsit marrin një tokë 320 mijë euro, e vlerësojnë pas 2 muajsh 26 milionë euro, dhe përmes gjysmës së saj bëhen pronarë të Kazinosë në zemër të Tiranës, çfarë zgjidhje ofron Pasqyra?!
Për bandat kriminale të lidhura me qeverinë që bëjnë ligjin në qytetet kryesore të vendit, do t’i drejtohen njerëzit Pasqyrës?!
Këto janë halle, probleme dhe shqetësime që ka vendi.
Të krijuara e të majisura nga Edi Rama. Zgjidhja vjen vetëm me largimin e burimit. Të tjerat janë përralla gushti.










Discussion about this post