Familja e Gentian Manatit, e cila humbi tre fëmijët nga zjarri që përfshiu banesën e tyre në Jacksonville të Floridës, është me origjinë nga Lushnja.
Familja ka jetuar për vite në lagjen “18 Tetori”, përpara se të largohej drejt Shteteve të Bashkuara përmes lotarisë amerikane. Fillimisht në SHBA shkuan Gentiani dhe bashkëshortja e tij, ndërsa më vonë atyre iu bashkuan edhe prindërit e tij, Njazi dhe Alia.
Lajmi për tragjedinë ka tronditur edhe Lushnjën, ku vijojnë të jetojnë dy motrat e Gentian Manatit. Ato kanë siguruar vizat dhe janë nisur mëngjesin e sotëm drejt SHBA-së, për t’i qëndruar pranë familjes në këto momente të rënda.
Fqinjët në lagjen “18 Tetori” janë shprehur të tronditur nga lajmi për humbjen e tre fëmijëve.
“Nuk ka fatkeqësi më të madhe në jetë, të rritësh tre fëmijë me sakrificë”, është shprehur një prej fqinjëve.
“U tronditëm kur e morëm vesh”, ka thënë një tjetër.
Tre fëmijët e familjes Manati humbën jetën mëngjesin e 26 gushtit, pasi zjarri përfshiu banesën e tyre dykatëshe në Jacksonville.
Kur zjarrfikësit mbërritën në vendngjarje, kati i parë i banesës ishte përfshirë nga flakët, ndërsa kati i dytë ishte mbushur me tym. Tre fëmijët u gjetën pa shenja jete, ndërsa dy të rritur dhe dy fëmijë të tjerë arritën të dilnin nga banesa.
Shkaku i zjarrit ende nuk është bërë i ditur, ndërsa autoritetet amerikane vijojnë hetimet për të përcaktuar rrethanat e tragjedisë.
Në ndihmë të familjes është hapur edhe një fushatë GoFundMe, me qëllim mbulimin e shpenzimeve të ceremonisë mortore për tre fëmijët dhe kostove të trajtimit mjekësor për të plagosurit, të cilët vijojnë të marrin ndihmë në spital.










Discussion about this post