Pasagjerët që i mbijetuan mbytjes së tragetit pranë brigjeve të Kyrenias, në Qipron Veriore, kanë ngritur akuza ndaj kapitenit dhe ekuipazhit, duke pretenduar se paralajmërimet e tyre se anija po merrte ujë u shpërfillën.
Sipas dëshmive, disa pasagjerë kishin kërkuar që trageti i shpejtë i kompanisë Filo Jet të kthehej në port sapo vunë re se po hynte ujë. Ata pretendojnë se ekuipazhi i siguroi se nuk kishte arsye për shqetësim.
“U thoshim se po hynte ujë dhe ata talleshin me ne. Na thoshin të ktheheshim në vendet tona dhe se nuk kishte asnjë problem. Kërkonim t’i thoshin kapitenit të kthehej në port, sepse uji vazhdonte të hynte, por na injoruan”, deklaruan disa prej të mbijetuarve.
“Na thanë se gjithçka do të shkonte mirë”
Një prej të mbijetuarve, duke folur për CNN Türk, tregoi se problemet ishin vënë re që në fillim të udhëtimit.
“Kur u nisëm, anija filloi të goditej fort. I thamë një anëtari të ekuipazhit se në kabinë po hynte ujë. Ai na tha: ‘Ju nuk jeni mësuar me këtë, ne po. Gjithçka do të shkojë mirë’”, rrëfeu pasagjeri.
Të mbijetuar të tjerë kanë ngritur pikëpyetje edhe për menaxhimin e emergjencës dhe jelekët e shpëtimit. Sipas tyre, në momentet kur situata u përkeqësua, pasagjerët nuk morën udhëzime të qarta se si duhej të vepronin.
Një pasagjer pretendoi se disa pjesëtarë të ekuipazhit u larguan përpara pasagjerëve.
“Thanë ‘duhet të largohemi menjëherë’ dhe vrapuan të parët. Pasagjerët mbetën brenda. Askush nuk kishte veshur jelek shpëtimi dhe nuk na u dha asnjë informacion”, tha ai.
Një tjetër i mbijetuar përshkroi momentet kur situata në anije u bë kritike. Sipas dëshmisë së tij, pasi u thyen xhamat dhe uji hyri në brendësi, disa persona nuk arritën të dilnin.
“Kur u thyen xhamat dhe njerëzit përfunduan nën ujë, shumë prej tyre nuk mundën të dilnin. Fëmijë dhe persona të tjerë mbetën të bllokuar poshtë sediljeve”, deklaroi ai.
Sipas të njëjtit pasagjer, njerëzit u drejtuan drejt pjesës së pasme të anijes për t’u larguar. Ata që gjetën jelekë shpëtimi i përdorën, ndërsa të tjerë u hodhën në det pa to.
Ai pretendoi gjithashtu se kapiteni këmbënguli të largohej i pari. Këto pretendime të pasagjerëve janë pjesë e raportimeve mediatike dhe mbetet që hetimi të përcaktojë përgjegjësitë për ngjarjen.
Kapiteni dhe shtatë persona të tjerë ndalohen
Sipas raportimit të Neësbomb, autoritetet turkoqipriote kanë ndaluar kapitenin dhe shtatë persona të tjerë në kuadër të hetimit për shkaqet e tragjedisë.
Në raportimet për bilancin ka të dhëna që ndryshojnë. Sipas një përditësimi zyrtar të cituar në artikull, ishin gjetur shtatë trupa dhe 17 pasagjerë rezultonin të zhdukur. Ndërkohë, Erhan Arıklı, përgjegjës për transportin në administratën turkoqipriote, deklaroi më pas se numri i viktimave kishte arritur në tetë, ndërsa kërkimet për 17 persona vijonin.
Operacioni i kërkim-shpëtimit po zhvillohet aktualisht në sipërfaqen e detit. Kur kushtet ta lejojnë, zhytësit pritet të kontrollojnë edhe rrënojat e katamaranit në fund të detit, të cilat sipas raportimit ndodhen në një thellësi prej rreth 500 metrash.
Pikëpyetje për gjendjen e katamaranit
Katamarani ishte ndërtuar në Francë në vitin 2000 dhe pretendon se ishte në gjendje të keqe mirëmbajtjeje. Sipas medias greke, anija kishte qëndruar jashtë shërbimit vitet e fundit për shkak të problemeve financiare të kompanisë pronare.
Gjendja teknike e mjetit lundrues, mënyra se si u menaxhua emergjenca dhe reagimi i ekuipazhit ndaj paralajmërimeve të pasagjerëve pritet të jenë ndër çështjet që do të shqyrtohen gjatë hetimit.
Udhëheqësi turkoqipriot Tufan Erhürman deklaroi se të mbijetuarit u transportuan menjëherë në spitale. Sipas informacioneve që ai tha se kishte marrë nga autoritetet përkatëse, gjendja shëndetësore e personave të shpëtuar nuk paraqitej serioze.










Discussion about this post