Në ditën e 92-të të protestës përpara Kryeministrisë, gazetari Osman Stafa i është drejtuar turmës me një fjalim të ashpër denoncues, ku u ndal te skandalet e sistemit shëndetësor dhe braktisja e pacientëve, duke akuzuar qeverinë për propagandë dhe abuzim me fondet publike.
Ai tha se kryeministri i gënjeu shqiptarët, ndërsa iu drejtua këtyre të fundit që të ngrihen masivisht për t’i dhënë fund kësaj qeverie.
Ai deklaroi se qytetarët kanë nevojë për një qeveri që iu del për zot, dhe jo një qeveri që i mashtron dhe i vjedh.
Në përmbyllje, gazetari u bëri thirrje shqiptarëve të bashkohen në shesh për të mbrojtur të drejtat e tyre: “Po kërkojmë që ky vend të mos vidhet, që gjyshërit tanë të kënë pensione për të blerë së paku ilaçet e tyre dhe fëmijët e shqiptarëve të mos largohen nga vendi. Nëse e doni këtë vend, hajdeni në protestë!”
“Asnjëherë historia e Shqipërisë nuk ka parë një protestë që zgjat 92 ditë dhe nuk i ndihet fundi, sepse në këtë betejë është e ardhmja jonë dhe e Shqipërisë. Po bëni historinë! Po bëni qëndresë, rezistencë, po tregoni forcë e dinjitet. Nuk doni një Shqipëri të vjedhur e të korruptuar, por një vend ku të jetoni me dinjitet.
Para tri ditësh kryeministri Rama publikoi një video të ministres së Shëndetësisë ku u tha se qytetarët me goditje ishemike do të kishin në shërbim arteriografinë dhe trombektominë. Sot po ju thosha se ata gënjyen! Këto shërbime nuk jepen për qytetarët shqiptarë. Mungesa e këtij trajtimi të çon në vdekje ose në paralizë. Edhe shëndetësinë nuk e japin sepse paratë i çojnë te ‘Kopshti Eden’, te inceneratorët që nuk ekzistojnë, te tigri 1 dhe 3, por jo te shëndetësia!
Një grua nga Maliqi u sorollat prej 4 muajsh nga Onkologjiku për kancerin në gji. Shkoi të trajtohej para pak ditësh me një plagë të hapur në gjoks, mjekët u lemerisën sepse po e hanin krimbat për së gjalli! Dhe thanë se nuk e marrin përsipër e donin ta çonin në shtëpi. E kuptoni apo jo? Po kërkojmë që ky vend të mos vidhet, që gjyshërit tanë të kënë pensione për të blerë së paku ilaçet e tyre dhe fëmijët e shqiptarëve të mos largohen nga vendi. Nëse e doni këtë vend, hajdeni në protestë!”, tha Stafa.










Discussion about this post