Kjo është një histori që ka bërë bujë gjatë kësaj vere në Francë. Biznesmeni shqiptar, Ermal Beqiri, u arrestua në Albert, në departamentin Somme, teksa po fluturuar me një avion mbi centralin bërthamor të Penly, në Seine-Maritime.
Sipas gazetës franceze ‘Le Courrier Picard’, ai u gjykua me procedurë të përshpejtuar në gjykatën e Amiens dhe u dënua me 7 mijë euro gjobë për këtë shkelje. Ngjarja ndodhi në fillim të muajit gusht.
Aktualisht, Beqiri ndodhet i burgosur në burgun e Beauvais dhe kërkesa e tij e parë për lirim është refuzuar. Arsyeja është se Shqipëria ka kërkuar ekstradimin e tij, në mënyrë që ai të gjykohet edhe në vendin e origjinës.
Ai është nën hetim nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), e cila dyshon për përfshirjen e tij në një rrjet kriminal.
Oisehebdo.fr shkruan se deri në përfundimin e procedurave të ekstradimit, Beqiri do të mbetet në paraburgim. Çështja ka edhe një lidhje me departamentin Oise në Francë.
Sipas një njoftimi të autoriteteve shqiptare, Shqipëria ka kërkuar sekuestrimin e pasurive të tij në Francë, në pritje të procesit gjyqësor.
Mes këtyre pasurive ndodhet edhe një “kështjellë në Oise, në veri të Parisit”, e cila thuhet se është blerë për rreth 2.6 milionë euro. Konkretisht, bëhet fjalë për Château d’Auteuil, që ndodhet në Berneuil-en-Bray.
Një temë për të cilën nuk flitet në kështjellë
Kjo kështjellë madhështore me tulla të kuqe, e vendosur në periferi të fshatit Berneuil-en-Bray, ofron prej disa vitesh akomodim luksoz për vizitorët. Në faqen zyrtare të saj thuhet se objekti administrohet nga çifti Darondeau–de La Pintière, të cilët e blenë monumentin në vitin 2003 dhe investuan për vite me radhë në restaurimin e tij.
Në asnjë pjesë të faqes nuk përmendet emri i Ermal Beqirit. Vetëm në rubrikën e të dhënave ligjore mund të gjendet emri i tij. Sipas raportimit, i gjithë kompleksi duket se është në pronësi të tij. Këtë e ka konfirmuar edhe kryebashkiaku i ri i komunës, Simon Muller.
Kur gazetarët kontaktuan me telefon kështjellën, telefonata nuk u prit aspak mirë. Një grua që iu përgjigj telefonatës refuzoi të komentonte çështjen. Edhe kur iu kërkua vetëm të konfirmonte nëse Ermal Beqiri është pronari i kështjellës, ajo u përgjigj: “Më vjen keq, nuk mund t’ju përgjigjem. Ju uroj një mbrëmje të mirë”.
Në fshat duket se ka shumë pak lidhje mes pronarit të kështjellës dhe komunitetit lokal. Simon Muller, i cili mban detyrën e kryebashkiakut që prej muajit mars, tha se e ka takuar Beqirin vetëm një herë dhe krejt rastësisht.
Për momentin mbetet e paqartë nëse sekuestrimi i mundshëm i kësaj pasurie, që autoritetet shqiptare e konsiderojnë si pasuri me origjinë kriminale, do të ketë ndonjë ndikim për komunitetin e vogël të Berneuil-en-Bray.
Arrestimi në Francë
Krahu i djathtë i Ergys Agasit, u ndalua pasi u kap nga forcat ajrore franceze duke pilotuar një avion të vogël privat, mbi një central bërthamor, pranë Normandisë.
Beqiraj kishte hipur në avionin e vogël privat në aeroportin “Albert” në veri të Francës dhe ka fluturuar fillimisht drejt zonës së Kalesë, pranë kanalit La Mansh. Më pas ka zbritur në krahinën e Bretanjës, për tu rikthyer drejt Normandisë, por fluturimi i tij është pikasur nga forcat ajrore franceze ndërsa ndodhej mbi centralin bërthamor të Penly, pasi avioni i tij është ulur nën kuotën e lejuar.
Konkretisht, avioni me të cilin po fluturonte Beqiri ishte në një lartësi prej afërsisht 1,200 metrash, por papritmas ai uli avionin nën kuotën e lejuar dhe avionët ushtarak i janë afruar menjëherë dhe e kanë shoqëruar deri në aeroportin e Albert, ku dhe nga ishte nisur. Sapo zbriti në pistë, biznesmeni i shpallur në kërkim nga SPAK u arrestua dhe u dërgua në paraburgim.
Gjatë kontrollit, policia i gjeti Beqirajt në trup 3 “AirTag” të fshehura në rroba, të cilat janë pajisje gjurmuese të vegjël të kompanisë “Apple”, që lejojnë gjurmimin e kujtdo që e mban me vete. Për autoritetet franceze, biznesmeni ka thënë se gaboi me lartësinë e fluturimit, pasi në momentin e kalimit mbi central ishte duke folur në telefon me nënën.
Si pasojë, Beqiri u gjobit me 7 mijë euro për shkeljen e hapësirës së ndaluar dhe më pas iu dorëzua autoriteteve për procedurat e mëtejshme, përfshirë ekstradimin. Nëse ekstradimi drejt Shqipërisë, do të ketë pëlqimin e tij, mund të bëhet brenda disa javësh, por nëse kundërshtohet, duhet të marrë vendim të formës së prerë nga gjykatat franceze, dhe mund të zgjas deri në disa muaj.
Më herët Beqirajt i janë sekuestruar 10 pasuri dhe disa llogari bankare, mes tyre, truall e ndërtesa në Vlorë, Tiranë, e Golem, biznese dhe automjete.
Objektet e sekuestruara të tij janë: Truall me vendndodhje në Green Coast, Vlorë; Truall me vendndodhje “Hoxha Tasim”, Tiranë; Ndërtesa dhe truall nr. 5/3; Truall dhe ndërtesë nr. 38/36, Rolling Hills Tiranë Apartament në Golem, Kavajë; Mjet lundrues Yacht “Skyfall”; Subjekti “S.S” sh.p.k.; Subjekti “H” sh.p.k.; Njësi shërbimi në rrugën “Çerçiz Topulli”; Automjete dhe motomjete sipas regjistrave; Të gjitha llogaritë bankare në emër të tij dhe subjekteve.
Hetimet e SPAK për tenderat e AKSHI-t
Prokuroria e Posaçme ka lëshuar urdhër arreste për drejtoreshën e AKSHI-t, Mirilinda Karçanaj, Ergys Agasin dhe biznesmenin Ermal Beqiraj. Për drejtoreshën e AKSHI-it, Mirlinda Kërçanaj, GJKKO ka caktuar masën e sigurisë “arrest shtëpie”, ndërsa për Ergys Agasi dhe biznesmenin Ermal Beqiri janë caktuar masat e sigurisë “arrest me burg”.
Mëngjesin e 16 dhjetorit, dy skuadra me agjentë të BKH-së, shoqëruar dhe nga patrulla të policisë së Shtetit, zbarkuan në ambientet në pronësi te biznesmenit Agasi. Bëhet fjalë për kontrollin e 4 vendeve, banesave në Durrës e Tiranë, si dhe bizneset që zotërohen Ergys Agasi.
Po ashtu është dhënë masë pezullimi nga detyra dhe për zëvendësdrejtorin e Policisë së Tiranës, Erion Ismaili. SPAK gjithsej ka vendosur në masë sigurie 8 persona që janë Ergys Agasi, Ermal Beqiraj, Mirilinda Karçanaj, Hava Delibashi, Erion Ismaili, Andis Papa, G.H dhe Rogers Rryta.
Akuzat kryesore të SPAK janë grup i strukturuar kriminal, shkelje e barazisë në tendera si dhe heqje e paligjshme e lirisë. Prokuroria e posaçme prej gati një viti po hetonte procedurat e 12 tenderave, që dyshohet se janë bërë në shkelje.
Ndërkohë personat e përmendur më sipër, por dhe zyrtarë të tjerë, për të cilët është dhënë masa, por që ende nuk dihen emrat e tyre, akuzohen për shkelje barazisë në tendera, korrupsion, shpërdorim detyre dhe pastrim parash.










Discussion about this post