Kthimi në Serbi i trupit të Ratko Mlladiçit, ish-komandantit të Ushtrisë së Republika Srpska, i dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, ka rikthyer debatin për mënyrën se si Beogradi përballet me trashëgiminë e luftërave të viteve ’90.
Trupi i Mlladiçit u soll në Beograd me një avion të qeverisë serbe dhe u prit nga ushtarakë serbë, ndërsa autoritetet kanë bërë të ditur se priten pjesëmarrje masive në ceremonitë e varrimit. Presidenti Aleksandar Vuçiç ka deklaruar se shteti do të ofrojë mbështetje logjistike dhe do të marrë masa për ruajtjen e rendit dhe sigurisë.
Për këtë ka reaguar ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, i cili e sheh trajtimin e figurës së Mlladiçit si dëshmi të vazhdimit të një politike që, sipas tij, nuk është shkëputur nga ideologjia e viteve ’90.
Bushati kritikon qasjen e Serbisë dhe ngre pikëpyetje edhe për rolin e komunitetit ndërkombëtar përballë glorifikimit të kriminelëve të dënuar të luftës dhe mohimit të krimeve të dokumentuara nga drejtësia ndërkombëtare.
“Ceremonia shtetërore për sjelljen e trupit të vdekur të Ratko Mlladiçit në Serbi, tregon se vdekja e tij nuk po trajtohet si ikja nga jeta e një krimineli lufte të dënuar nga drejtësia ndërkombëtare. Përkundrazi, vdekja e tij ka nxjerrë në pah edhe njëherë refuzimin e Serbisë për t’u përballur me politikat që çuan në luftërat e viteve ’90, dhe me pasojat e tyre. Në vend që të pranojë përgjegjësitë, Serbia flet për ‘padrejtësi historike ndaj serbëve’.
Është e qartë se kjo qasje politike nuk mori fund me Sllobodan Millosheviçin, e as me vendimet e drejtësisë ndërkombëtare. Serbia nuk mund të ndërtojë një identitet demokratik të qëndrueshëm e as të konsiderohet faktor stabiliteti në rajon pa pranuar përgjegjësië për luftërat e viteve ’90. Ato nuk ishin rezultat i padrejtësive historike, por pasojë e politikave të ndjekura nga Beogradi. Prandaj, demokratizimi dhe europianizimi i Serbisë dhe rajonit kërkon një shkëputje rrënjësore nga ideologjia që justifikon krimet e luftës dhe gjenocidit.
Mlladiç vdiq, ndërsa ideologjia që e shndërroi atë në hero vazhdon të jetojë. Prandaj, pyetja nuk është më se deri ku mund të shkojë mohimi i krimeve të luftës apo glorifikimi i kriminelëve. Pyetja është: Ku është fundi? Dhe një pyetje po aq e rëndësishme duhet t’i drejtohet komunitetit ndërkombëtar: Edhe për sa kohë do të trajtohen glorifikimi i kriminelëve të dënuar të luftës, si dhe mohimi e relativizimi i gjenocidit, thjesht si një tjetër mosmarrëveshje politike në Ballkan?”, shkruan Bushati.










Discussion about this post