Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ka lëshuar një njoftim për sigurinë lidhur me demonstratat e paralajmëruara për të mërkurën, 16 shtator, në Prishtinë dhe në qytete të tjera të mëdha të Kosovës.
Në 16 Shtator është parashikuar të jepet vendimi i Hagës për ish presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish krerët e UÇK-së.
Në njoftimin e saj, Ambasada amerikane paralajmëron se protestat mund të shoqërohen me grumbullime të mëdha njerëzish, bllokime rrugësh dhe pengesa të konsiderueshme në qarkullimin rrugor. Për këtë arsye, qytetarëve amerikanë u është këshilluar të kufizojnë lëvizjet në zonat pranë banesave të tyre dhe të shmangin udhëtimet drejt vendeve të punës apo shkollave nëse itinerari kalon nëpër zonat ku priten demonstrata.
“Disa organizata po planifikojnë demonstrata të mëdha për të mërkurën, 16 shtator, në qendër të Prishtinës dhe në qytete të tjera të mëdha të Kosovës. Këto demonstrata mund të shkaktojnë turma të mëdha, mbyllje rrugësh dhe ndërprerje të rënda të trafikut”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.

Sipas saj, personeli i qeverisë amerikane është këshilluar të shmangë çdo udhëtim të panevojshëm në afërsi të protestave. Po ashtu, prindërve u është rekomanduar të mos dërgojnë fëmijët në shkollë më 16 shtator, për shkak të mundësisë së krijimit të problemeve të mëdha në qarkullim.
Ndërkohë, në Prishtinë është paralajmëruar një marsh paqësor në mbështetje të katër ish-krerëve të UÇK-së. Marshi nis në orën 14:00 dhe pritet të mbledhë qytetarë nga e gjithë Kosova, të cilët kërkojnë drejtësi për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.
Në këtë situatë, autoritetet amerikane u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar dhe të shmangin zonat ku priten grumbullime të mëdha, ndërsa pritet që protestat të sjellin kufizime të ndjeshme në lëvizjen dhe qarkullimin në Prishtinë dhe qytete të tjera të Kosovës.
Procesi gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit u përmbyll me fjalën përfundimtare në shkurt të vitit 2026. Zyra e Prokurorit të Specializuar në fjalën përfundimtare të paraqitur para trupit gjykues kishte kërkuar 45 vjet burgim për secilin prej tyre, ndërkohë që mbrojtja e Thaçit, Veselit, Selimit e Krasniqit kishte kërkuar shpalljen e tyre të pafajshëm.
Ish-krerët e UÇK-së akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit dhe ndodhen në paraburgim nga nëntori i vitit 2020.










Discussion about this post