Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka deklaruar në Kuvend se një prokuror rrethi ka dërguar oficerin e policisë gjyqësore në degën e Thesarit dhe sipas tij, u ka thënë punonjësve të ekzekutojnë pagat ose do t’i arrestojë. Gjatë fjalës së tij në seancën plenare, Malaj tha se Thesari verifikon a ka bazë ligjore dhe nëse gjithçka është e rregullt pagesat kalojnë.
“Një prokuror rrethi dërgoi OPGJ në degën e Thesarit dhe ju tha punonjësve ose ekzekutoni pagesën ose do t’ju arrestojmë. Ku ndodh kjo? Kjo nuk është matje muskush, mund të më thoni ku është shkelja që ka bërë punonjësi i thesarit apo ministri i Financave? Është bërë kallëzim për këtë cështje. Thesari verifikon a ka bazë ligjore, nëse gjithçka është e rregullt pagesa normalisht kalon. Ky mekanizëm mbron paratë publike”, tha ministri Malaj në Kuvend.
Në mbrëmje, në Kuvend është paraqitur edhe kryeministri Edi Rama, teksa deputetët vijojnë diskutimet për ndryshimet e propozuara në sistemin e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Mazhoranca pritet të votojë pro projektligjit të propozuar nga PS, i cili parashikon ndryshime në mënyrën e përcaktimit të pagave të magjistratëve.
Drafti i shumicës parashikon një rritje prej rreth 8,500 lekësh të pagës referuese, ndërsa magjistratët kanë kërkuar një rritje rreth nëntë herë më të lartë. Kërkesa për një nivel më të lartë page është mbështetur edhe nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
Debati për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve ka vijuar prej orësh në Kuvend, ndërsa seanca pritet të përmbyllet me votimin e projektligjit.
gijotina.com/









Discussion about this post