Rrjete transnacionale të pastrimit profesional të parave po përdorin tregtinë me shumicë, tekstilet, logjistikën dhe shpërndarjen me pakicë për të integruar në ekonominë formale para të mbledhura në shkallë të gjerë nga veprimtari kriminale.
Sipas raportit të FATF, Europol i ka identifikuar këto struktura si ndër infrastrukturat e pastrimit të parave me rritjen më të shpejtë në Europë. Autoritetet raportojnë qendra që konsolidojnë në shkallë industriale cash nga trafikimi i drogës, tregtia e mallrave të falsifikuara dhe mashtrimet kibernetike.
Pas mbledhjes, fondet shpërndahen përmes zinxhirëve informalë dhe mund të integrohen në aktivitete që në pamje të parë janë normale, përfshirë tregtinë me shumicë, tekstilet, logjistikën dhe shpërndarjen me pakicë.
Një nga mekanizmat e identifikuar përdor kompani import-eksporti. FATF përshkruan manipulimin e faturave përmes mbifaturimit ose nënfaturimit, përshkrimeve të falsifikuara të ngarkesave dhe kompensimeve tregtare. Në vend që vlera të kalojë hapur nga një operator te tjetri, lëvizja maskohet si pagesë për mallra.
Një rast i dokumentuar në Spanjë në vitin 2025 tregon se sa komplekse mund të bëhen këto struktura.
Operacioni “Karasu” evidentoi 32 transaksione me vlerë mbi 5.5 milionë euro në tre muaj, ndërsa një adresë kripto e përdorur nga rrjeti kishte përpunuar mbi 21 milionë dollarë gjatë dy viteve. Skema kombinonte korrierët e cash-it, portofolët e aseteve virtuale dhe kompensimin ndërkufitar.
FATF nënvizon se këto modele nuk kufizohen te një vend apo një sektor. Pikërisht ndërthurja e aktivitetit kriminal me tregtinë reale u mundëson rrjeteve të krijojnë një shpjegim ekonomik në dukje normal për lëvizjen e vlerave.










Discussion about this post