Kryeministri Edi Rama është përballur me protesta nga disa aktivistë shqiptarë gjatë vizitës së tij në SHBA, ku ndodhet për punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Gjatë momentit kur Rama mbërriti në ambientet ku do të zhvillohej një prej takimeve të tij, disa protestues shqiptarë lëshuan thirrje kundër tij dhe e akuzuan me epitete si “mafia” dhe “kriminel”.
Në pamjet e publikuara nga ngjarja, një prej protestuesve shihet duke hedhur vezë në drejtim të kryeministrit.
Mevlan Mata, personi që deklaron se ka hedhur vezët, ka rrëfyer në një lidhje direkte me News24 detaje nga protesta dhe reagimin e Ramës.
“Ishim në hyrjen e godinës ku do të mbahej takimi, ku Rama ishte i ftuar. Kishim informacion që ai do të ishte atje, sepse informacioni ishte kudo në rrjetet sociale. Kjo ishte protesta e 10 ose e 11 që nga nisja e protestave në Shqipëri”, tha Mata.
Ai pranoi se vezët nuk e prekën kryeministrin, ndërsa shtoi se protesta vijoi pavarësisht reagimit të Ramës.
“Vezët fatkeqësisht nuk e prekën kryeministrin. Do të doja shumë ta kishin kapur. Balla duket se fshihej pas Ramës. Rama vijoi rrugën, është mësuar me shprehjet që ne i thamë dhe nuk i bëhet shumë vonë, por ne bëmë punën tonë dhe do të vijojmë deri në rrëzimin e tij”, u shpreh ai.
Mata tha gjithashtu se është shoqëruar për disa orë pas protestës.
“U mbajta në komisariat 2-3 orë, por u sollën shumë mirë me mua. U arrestova nga Shërbimi Sekret, me kërkesë të qeverisë shqiptare”, deklaroi ai.
Mata foli edhe për protestat që vijojnë prej 118 ditësh në Tiranë, duke pretenduar se ato kanë sjellë rezultatet e tyre dhe se tashmë protestuesit presin largimin e qeverisë.
“Kam qenë dy herë në Shqipëri vetëm për protestën. Jemi krenarë për popullin që është ngritur në këmbë ndaj të gjithë klasës politike, jo vetëm mazhorancës aktuale. Protesta i ka dhënë frytet, presim aktin final, rënien e qeverisë që nuk ka më asnjë legjitimitet”, tha Mata.
Ai u bëri thirrje shqiptarëve që të marrin pjesë në protestat në Tiranë.
“U bëj thirrje shqiptarëve të dalin sa më masivisht në shesh. Se çfarë vjen pas rrëzimit të qeverisë, ju siguroj se ka shumë të rinj e të reja të gatshëm të marrin në dorë fatet e vendit”,
përfundoi ai.










Discussion about this post