Analisti Andi Bushati ka komentuar protestat e tre ditëve të fundit në Tiranë, duke e cilësuar zemërimin qytetarëve si reagim ndaj asaj që ai e përshkruan si vjedhje dhe abuzim të vazhdueshëm nga pushteti.
I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, Bushati u shpreh se qytetarët ndihen të zhgënjyer dhe të vjedhur në vendin e tyre, ndërsa theksoi se, sipas tij, ajo që ka ndodhur gjatë protestave është shumë pak në raport me zemërimin e akumuluar.
“Është si revolta, zemërimi, urrejtja e një njeriu që i janë futur përdhunshëm në shtëpi dhe pasi i janë futur në shtëpi, i kanë plaçkitur të gjitha dhe në fund e kanë përdhunuar. Kështu ndihet shqiptari i zakonshëm në shtetin e vet”, deklaroi Bushati.
Ai përmendi disa prej emrave që, sipas tij, lidhen me pakënaqësinë e qytetarëve, duke përmendur Erion Veliajn dhe çështjen e kompanive 5D, Belinda Ballukun dhe tenderat, si dhe Ergys Agasin. Bushati kritikoi gjithashtu kryeministrin Edi Rama, duke e konsideruar atë përgjegjës për situatën politike në vend.
Duke komentuar aktet e dëmtimit të pronës gjatë protestave, analisti u shpreh se vëmendja publike po përqendrohet te dëmet materiale, ndërsa, sipas tij, shpesh janë relativizuar akuzat për abuzime dhe korrupsion.
“Çfarë kanë djegur? Ore, e di sa janë këto djegie? Sa një fishkëllimë e Belindës, një tender që thoshte Ergysi ta dyfishoj”, u shpreh ai.
Bushati solli si shembull edhe vjedhjen e disa produkteve nga një kioskë gjatë protestës, duke argumentuar se zemërimi i një pjese të qytetarëve lidhet edhe me perceptimin se pasuria dhe mundësitë ekonomike në vend janë përqendruar në duart e pak njerëzve.
“Është si njeriu që e ke përdhunuar pasi e ke vjedhur. Kështu ndihet çdo qytetar shqiptar sot”, deklaroi analisti.










Discussion about this post