Deputetja e pavarur, Marjana Koçeku u ka drejtuar një letër të hapur përfaqësive më të larta diplomatike dhe institucioneve ndërkombëtare në Shqipëri, duke ngritur shqetësimin për dhunën policore ndaj protestuesve, veçanërisht të miturve, ndalimet arbitrare dhe ndërhyrjet e personave me veshje civile, pa shenja identifikimi policor.
Letra, e cila mban datën 16 tetor 2026, i është drejtuar Delegacionit të Bashkimit Evropian, Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Prezencës së OSBE-së, Zyrës së Këshillit të Evropës, Koordinatorit të Përhershëm të Kombeve të Bashkuara, si dhe drejtuesve të misioneve diplomatike të akredituara në Shqipëri.
Në dokumentin zyrtar, Koçeku shpreh shqetësimin për përdorimin e tepruar të forcës nga policia, goditjen e protestuesve të shtrirë në tokë, keqtrajtimin gjatë ndalimeve dhe raportimet për shkelje të të drejtave të personave të shoqëruar në komisariate.
“Duke qenë personalisht e pranishme në protesta, kam parë vendosmërinë e të rinjve shqiptarë, të cilët kërkojnë ndryshim, llogaridhënie dhe një të ardhme më të mirë, në kushtet e pakënaqësisë së përhapur ndaj korrupsionit, mundësive të kufizuara dhe dështimeve institucionale. Shqetësimet e tyre meritojnë vëmendje serioze politike dhe institucionale. Në vend të kësaj, veprimet e fundit të forcave të rendit kanë ngritur pikëpyetje të rënda për mbrojtjen e të drejtave të tyre themelore. Pamjet filmike, dëshmitë e personave të pranishëm dhe raportimet mediatike dokumentojnë episode të dhunës së rëndë policore: goditje ndaj protestuesve të shtrirë në tokë, përdorim të tepruar të forcës gjatë ndalimeve dhe trajtime që cenojnë sigurinë dhe dinjitetin njerëzor. Dhuna ndaj të miturve është veçanërisht alarmante. Gjithashtu, rastet e keqtrajtimit të raportuar në komisariate dhe kushtet e mbajtjes në ndalim kërkojnë hetim të menjëhershëm, të pavarur dhe të paanshëm”, thuhet ne leter.
Një vëmendje të veçantë deputetja i kushton ndërhyrjeve të personave me veshje civile, pa identifikim policor, të cilët, sipas saj, kanë marrë dhe larguar me forcë protestues nga tubimet publike. Ajo kërkon sqarimin e identitetit të këtyre personave, kompetencave të tyre, bazës ligjore të ndërhyrjeve dhe zinxhirit të komandimit.
“Shqetësim të veçantë dhe urgjent përbëjnë ndërhyrjet e personave me veshje civile, pa shenja të dukshme identifikimi policor, të cilët kanë rrëmbyer dhe larguar me forcë protestues nga tubimet publike. Mungesa e identifikimit në këto ndërhyrje është e papranueshme dhe duhet të marrë përgjigje të qarta institucionale. Kur personat që ushtrojnë kompetenca policore nuk identifikohen dhe nuk e bëjnë të qartë statusin e tyre zyrtar, protestuesit dhe kalimtarët mund të mos jenë në gjendje të dallojnë një ndërhyrje të ligjshme të forcave të rendit nga një rrëmbim i paligjshëm. Kjo krijon rreziqe serioze frike, përshkallëzimi dhe abuzimi. Autoritetet kompetente duhet të sqarojnë nëse këta persona ishin punonjës policie të autorizuar, mbi çfarë baze ligjore vepruan, kush i drejtoi operacionet e tyre dhe ku u mbajtën më pas personat e privuar nga liria”, thuhet ne letren e deputetes Koçeku.












Discussion about this post