Kryeministri Edi Rama ka sulmuar me tone të ashpra studentët që prej më shumë se një jave protestojnë masivisht, duke kërkuar largimin e tij.
Në një takim me përfaqësues të sistemit bankar, Rama i cilësoi të rinjtë si anarkistë dhe neo-komunistë, duke deklaruar se ata “ulërasin si në Mesjetë” dhe duke i lidhur protestat me grupe të radikalizuara dhe elementë kriminalë.
Kreu i qeverisë pretendoi se dhuna gjatë protestave është e orkestruar nga elementë të brendshëm dhe të jashtëm, ndërsa akuzoi se grupe nga periferitë mblidhen me mbështetjen e krimit të organizuar dhe subjekteve politike.
“Kjo është një dhunë e orkestruar, e lidhur me elementë të brendshëm dhe të jashtëm, përmes një lëvizje anarkiste neo komuniste e cila quhet ANTIFA dhe pjesësh të tjera të radiklizuara të rinisë.
Vajza dhe djem që janë të ekstremizuar dhe që ulërasin dhe bëjnë thirrje si në kohën e mesjetës apo pas luftës për të burgosur cilindo që sipas tyre përfaqëson të keqen. Ana tjetër është komponenti i kriminalitetit. Kriminaliteti i vogël i lagjeve dhe periferive që mblidhet me sponsorimin e krimit të organizuar, por edhe të subjekteve të tjera politike.
Të gjitha këto bashkë kanë një mbështetje të provuar dhe që provohet dita ditës nga forca të huaja, të interesuara për të destabilizuar Shqipërinë dhe Evropën në tërësi. Këta elementë të bashkuar në një front të vetëm, nuk janë studentët dhe shoqëria që kanë të drejtë të protestojnë për të kërkuar ndryshim dhe gjithçka tjetër.
Fatkeqësisht ka njerëz gjithnjë e më pak, por ka njerëz, si rasti i pedagogëve të Universitetit, një pjesë shumë e vogël në terësi së bashku me të tjerë aty që i bëjnë jehonë dhe nuk bëjnë asgjë për tu distancuar nga dhuna, gjë që e merr të plotë jehonin në ekrane”, tha Rama ne takimin me drejtuesit e sistemit bankar.










Discussion about this post