Një shqiptar nga Kosova, i cili fitoi 168 milionë euro në lotarinë EuroMillions në Belgjikë, po përballet me frikën për sigurinë e tij pas fitores marramendëse.
Ndonëse u bë një nga fituesit më të mëdhenj të lotarisë në historinë e Belgjikës, ai tashmë përpiqet të qëndrojë larg vëmendjes publike, nga frika se mund të jetë vënë në shënjestër të personave me qëllime të këqija.
Sipas mediave belge, ai fitoi shumën e jashtëzakonshme në tetor të vitit të kaluar.
Pas fitores, ai vazhdoi të punonte edhe për dy ditë, përpara se të mos paraqitej më në punë.
Më pas, u largua drejt Gjermanisë, por më vonë u kthye në Belgjikë, ku vazhdon të jetojë.
Ai është penduar për vëmendjen e madhe që mori pas fitores dhe për ndryshimet që kjo solli në jetën e tij.
Një nga gjërat që i mungojnë më shumë është vizita në klubin e tij të preferuar, FC Kosova në Bruksel, ku më parë takohej me miqtë.
“Duhet ta lënë të qetë. Sa më shumë informacione të bëhen publike për të, aq më shumë rrezik i kanoset”, ka deklaruar një nga miqtë e tij për mediat belge.
Që nga fitorja, ai është kthyer vetëm dy herë në lagjen e tij të vjetër dhe, sipas miqve, të dyja herët ka qenë i shoqëruar nga një truprojë.
“Ekziston rreziku që ta shantazhojnë ose ta rrëmbejnë”, është shprehur një mik i tij, duke ngritur shqetësime për sigurinë personale të fituesit.
Sipas tij, ai ndihej i sigurt kur vizitonte FC Kosovën, pasi aty njihej nga të gjithë dhe besonte se askush nuk do ta shqetësonte. Megjithatë, pas publikimit të informacioneve se ai vazhdon të frekuentojë këtë vend, miqtë dyshojnë se do të rikthehet së shpejti. Për ta takuar, ata mund të detyrohen të organizojnë takime në fshehtësi.
Fituesi ka blerë një shtëpi disa dhjetëra kilometra larg Brukselit, në përpjekje për të jetuar më qetë dhe larg vëmendjes. Pavarësisht frikës, ai nuk dëshiron të largohet nga Belgjika. Rreth 15 vjet më parë, u largua nga Kosova për shkak të luftës dhe që atëherë është lidhur ngushtë me vendin që e mirëpriti.
Një tjetër arsye e rëndësishme janë katër fëmijët e tij, të cilët janë rritur dhe vazhdojnë të studiojnë në Belgjikë.
Ai nuk dëshiron që ata të shkëputen nga jeta dhe rrënjët e tyre.
Për shqiptarin nga Kosova, fitorja prej 168 milionë eurosh solli një ndryshim të jashtëzakonshëm financiar, por edhe shqetësime që e kanë detyruar të ndryshojë mënyrën se si jeton.
Tashmë, sfida e tij kryesore duket të jetë ruajtja e privatësisë dhe sigurisë, pa u larguar nga vendi që e konsideron shtëpi.










Discussion about this post