Gjykata e Posaçme e Apelit ka ndryshuar masën e sigurisë për Embro Sulejmanin, duke vendosur lirimin e tij nga qelia. Sulejmani ishte arrestuar nën dyshimin se kishte ndihmuar biznesmenin Ergys Agasi gjatë periudhës kur ky i fundit ishte në kërkim nga autoritetet.
Sulejmani punonte si kamerier në lokalin ku, sipas hetimeve, Agasi zhvillonte takimet e tij. Autoritetet dyshonin se ai kishte ndihmuar në fshirjen e gjurmëve të këtyre takimeve, si dhe i kishte siguruar ushqime biznesmenit gjatë kohës që qëndronte i fshehur.
Gjatë dëshmisë në Gjykatën e Posaçme, Sulejmani kishte pranuar se e njihte Ergys Agasin, pasi të dy janë nga Durrësi. Ai kishte konfirmuar gjithashtu se i kishte dërguar ushqime gjatë periudhës kur biznesmeni ishte në kërkim, por kishte mohuar se kishte kryer ndonjë vepër penale.
“Nuk e di çfarë krimi kam bërë. I kam çuar supë e ushqim”, mësohet të ketë deklaruar Sulejmani përpara gjykatës.
Pas shqyrtimit të çështjes, Apeli i GJKKO-së vendosi të ndryshojë masën e sigurisë ndaj tij, duke i dhënë fund qëndrimit në paraburgim.
Sipas vendimit, Sulejami nuk mund të largohet nga territori i Shqipërisë pa autorizimin paraprak të gjykatës dhe nuk mund të përdorë dokumentet e identifikimit për të dalë jashtë vendit pa këtë autorizim.
Gjithashtu, ai duhet të paraqitet të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji, në orën 09:00, pranë oficerit të policisë gjyqësore që heton çështjen, si dhe sa herë të thirret nga organet proceduese.
Ndërkohë, Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi masën e sigurisë së arrestit në burg për Fatjon Kalluçin, ish përgjegjës i Policisë Shkencore, i cili u arrestua nën akuzën se ka nxerrë dokumente sekrete për të ndihmuar Ergys Agasin gjatë kohës që ai ishte në kërkim nga SPAK.










Discussion about this post