Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Median, Jorida Tabaku, akuzoi qeverinë se, përmes aktit normativ për tubimet dhe masave shoqëruese, po i jep policisë pushtet që cenon lirinë e protestës dhe kompetencat e gjykatave. Gjatë diskutimit në komision, deputetja e PD-së kundërshtoi kufizimet ndaj qytetarëve dhe vuri në pikëpyetje urgjencën për ndërhyrjen me akt normativ.
Një nga kundërshtimet e saj lidhej me regjistrin elektronik të krijuar me vendim qeverie dhe mundësinë e refuzimit administrativ të daljes jashtë vendit edhe pa një masë sigurimi për ndalimin e largimit. Sipas Tabakut, ky mekanizëm cenon lirinë e lëvizjes dhe prezumimin e pafajësisë, duke i dhënë policisë rol që i takon gjykatës. kryeministria.al
“Kush ia ka dhënë këtë të drejtë Policisë së Shtetit të ndalojë lirinë e lëvizjes që është në Kushtetutë?”, pyeti ajo.
Tabaku kundërshtoi edhe procedurën e zgjedhur nga qeveria, duke kërkuar shpjegime për nevojën e ndërhyrjes së menjëhershme në ligjin për tubimet.
“Nuk ka asnjë urgjencë për të sjellë me akt normativ një ligj të tillë”, deklaroi ajo.
Deputetja argumentoi se ndryshimet bien ndesh me nenin 47 të Kushtetutës, që garanton lirinë e tubimeve paqësore, dhe me nenin 17, që përcakton kushtet e kufizimit të të drejtave. Ajo kundërshtoi zgjerimin e kompetencave policore dhe ngriti shqetësimin për dallimin mes thirrjeve për dhunë dhe shprehjes së mendimit.
“Do na menaxhojë mendimet policia?”, u shpreh Tabaku.
Në mbështetje të qëndrimit të saj, ajo solli dëshmitë nga vizitat në komisariate, paraburgim dhe në Spitalin e Traumës. Tabaku tha se kishte parë të rinj me dëmtime të rënda nga goditjet e policisë dhe pretendoi se kishte arrestime të vlerësuara si të paligjshme nga gjykatat.
Sipas saj, rreth një mijë persona janë shoqëruar gjatë protestave, ndërsa 250 prej tyre janë të mitur. Ajo denoncoi raste kur të miturit kanë firmosur dokumente pa praninë e avokatit dhe prindërve.
Tabaku iu referua gjithashtu rënies së Shqipërisë me katër vende në indeksin e shtetit të së drejtës të World Justice Project. Ajo kritikoi mungesën e ministrit të Brendshëm në komision, ndonëse, sipas saj, ishte kërkuar të raportonte për veprimet e policisë. Albania Insights
Akti për tubimet është kundërshtuar në Gjykatën Kushtetuese nga organizata të shoqërisë civile, grupime studentore dhe deputetë të opozitës, të cilët kanë kërkuar shfuqizimin dhe pezullimin e zbatimit të tij.









Discussion about this post