Grupi Parlamentar i Partisë së Lirisë ka depozituar dy amendamente në Projektbuxhetin e vitit 2027, për t’i dhënë fund braktisjes dhe nënvlerësimit të dy kategorive që kryejnë një shërbim jetik për sigurinë e qytetarëve.
Amendamenti i parë parashikon rritjen me 35% të fondit të pagave për punonjësit e Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, në Programin 10910 të Ministrisë së Mbrojtjes, nga 261,8 milionë lekë në 353,43 milionë lekë. Rritja prej 35% propozohet të përfshijë edhe pagesat e tyre për orët shtesë, shpërblimet dhe dietat.
Amendamenti i dytë parashikon rritjen me 35% të fondit të pagave për punonjësit e Sistemit të Burgjeve, në Programin 03440 të Ministrisë së Drejtësisë, nga 5 miliardë e 635,54 milionë lekë në 7 miliardë e 607,98 milionë lekë.
Edhe kjo rritje prej 35% propozohet të përfshijë pagesat për orët shtesë, shpërblimet dhe dietat. Partia e Lirisë kërkon miratimin e këtyre dy amendamenteve, për t’i dhënë fund një padrejtësie të zgjatur ndër vite dhe për të garantuar dinjitetin e atyre që shteti nuk duhet t’i kujtojë vetëm kur ka nevojë për ta, por t’i mbështesë çdo ditë.
“Janë mijëra punonjës të ndershëm të shtetit, që për vite e vite me radhë punojnë në mjedise me rrezikshmëri të lartë, nën presion të vazhdueshëm fizik dhe psikologjik, me turne të zgjatura, shërbim natën, fundjavave dhe festive, por që vëmendja ndaj të cilëve ka qenë zero. Mbipopullimi i burgjeve dhe ngarkesa e shtuar e punës ka rënduar edhe më shumë mbi ta, ndërsa pagat dhe kushtet e punës mbeten shumë larg përgjegjësive që mbartin.
Partia e Lirisë e konsideron të papranueshme që këta punonjës heronj të shtetit të trajtohen si të harruar nga shteti, ndërkohë që prej tyre kërkohet gatishmëri dhe sakrificë e pakufizuar. Nuk mund të kërkosh heronj në çdo emergjencë, ndërsa për vite me radhë t’i paguash me paga skandaloze dhe t’i lësh në kushte edhe më skandaloze. Rritja me 35% e pagave për zjarrfikësit dhe Policinë e Burgjeve nuk është favor, por një detyrim ndaj nëpunësve të shtetit që rrezikojnë jetën për të mbrojtur jetën, pronën dhe sigurinë e qytetarëve” tha Blushi në deklaratën për median nga selia e PL-së.









Discussion about this post