Drejtori i Agjencisë kundër Korrupsionit, Yll Buleshkaj, ka deklaruar se procesi i deklarimit ka filluar më 1 mars dhe përfundon më 31 mars.
“Agjencia, menjëherë pas përfundimit të procesit dhe nxjerrjes së statistikave, duke përfshirë edhe listën e atyre që nuk e kanë kryer deklarimin vendos kontakte me këto subjekte deklaruese, për të marrë përgjigje nga ta se pse nuk e kanë bërë deklarimin”, tha ai.
Intervista e plotë me drejtorin e Agjencisë kundër Korrupsionit, Yll Buleshkaj me Radio Kosovën.
Radio Kosova: Zotëri Yll Buleshkaj, bazuar në Ligjin për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë të Zyrtarëve të Lartë Publikë dhe Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Dhuratave, nga 1 marsi ka filluar procesi i deklarimit vjetor të pasurisë së zyrtarëve të lartë publikë. A mund të na flisni më shumë për këtë proces, rrjedhën e tij si dhe numrin e zyrtarëve publikë që duhet të bëjnë dhe që kanë bërë deklarimin e pasurisë, deri tani?
Yll Buleshkaj: Procesi i deklarimit ka filluar më 1 mars dhe përfundon më 31 mars. Deklarimi bëhet për periudhën e vitit të kaluar, do të thotë periudhën nga 1 janari deri më 31 dhjetor të vitit 2021. Pra, të gjitha lëvizjet qoftë në pasuri apo në secilin aspekt tjetër që parashihet me ligj, duhet të deklarohen në formularin të cilin e pranojnë nga institucioni. Procesi është duke shkuar mirë. Nuk e kemi përgjigjen që kish qenë e mirë, për sa i përket deklarimeve të pasurisë. Deri më tani janë pranuar diku rreth 21-22% të formularëve, që i bie mbi 1 mijë e 100, nga rreth 5 mijë deklarime që duhet të pranohen. Por, procesi po shkon mirë. Secilin formular jemi duke e trajtuar ashtu siç e parasheh ligji, duke pranuar dhe procesuar tutje.
Radio Kosova: Thatë se deri më tani, kur ka kaluar gjysma e periudhës së paraparë me ligj, deklarimin e pasurisë e kanë bërë vetëm rreth 22% e zyrtarëve publikë. Pse po ndodh kështu?
Yll Buleshkaj: Ky është një trend që e përcjellë procesin e deklarimit ndër vite, por edhe të gjitha proceset e tjera. Ka një tendencë, ndoshta një kulturë që e kemi si vend që gjërat t’i lëmë kah fundi i procesit. Edhe herëve të kaluara ditët e fundit kanë qenë më të ngarkuara. Kjo nuk është mirë për ata që e kryejnë deklarimin, sepse, kryerja e këtij obligimi ligjor në momentin e fundit, ia largon atyre mundësinë për të bërë përmirësimet eventuale, të cilat do të mund t’i kishin bërë, nëse bëjnë deklarimin më herët dhe vërehet ndonjë lëshim teknik. Por, sido që të jetë, është e drejtë e secilit subjekt deklarues që deklarimin mund të bëjnë deri më 31 mars. Natyrisht, në qoftë se deklarimi do të bëhej më herët, do të na kishte ndihmuar neve shumë në aspektin e trajtimit më të ngadaltë të secilit aplikacion dhe dhënies së shpjegimeve edhe plotësimeve të mundshme për secilin subjekt deklarues. Si do që të jetë, ne do të kryejmë obligimin tonë ligjor. Por, prapëseprapë bëj thirrje që të gjithë zyrtarët e lartë publikë, të cilët janë të obliguar me ligj që të bëjnë deklarimin e pasurisë, ta bëjnë këtë sa më parë që është e mundur dhe sa më saktë, në mënyrë që edhe ata të mos bien në kundërshtim me ligjin.
Radio Kosova: Paraprakisht folëm për numrin e subjekteve që janë të obliguar të bëjnë deklarimin e pasurisë gjatë këtij viti. Po më intereson të di sa ka qenë numri i personave që kanë qenë të obliguar të bëjnë deklarimin e pasurinë vitin e kaluar dhe sa e kanë përmbushur këtë obligim ligjor?
Yll Buleshkaj: Edhe vitin e kaluar numri ka qenë i ngjashëm. Kanë qenë rreth 5 mijë subjekte deklaruese. Deklarimin me kohë e kanë kryer 98% e zyrtarëve publikë, ashtu siç janë edhe statistikat. Kemi diku pak mbi 90 zyrtarë që nuk e kanë kryer deklarimin me kohë, e pastaj ndaj tyre janë zhvilluar procedurat ashtu siç e parasheh legjislacioni në fuqi.
Radio Kosova: Zotëri Buleshkaj, me zyrtarët që nuk e bëjnë deklarimin e pasurisë, siç edhe thatë se ka pasur në vitin e kaluar, si vepron Agjencia kundër Korrupsionit, çka mund të ndërmerrni në këto raste?
Yll Buleshkaj: Agjencia, menjëherë pas përfundimit të procesit dhe nxjerrjes së statistikave, duke përfshirë edhe listën e atyre që nuk e kanë kryer deklarimin vendos kontakte me këto subjekte deklaruese, për të marrë përgjigje nga ta se pse nuk e kanë bërë deklarimin. Ka shumë raste që deklarojnë pastaj se për shkak të neglizhencës ose ndonjë problemi teknik nuk e kanë bërë deklarimin. Por, sido që të jetë, mos deklarimi me kohë, nëse nuk ekziston ndonjë arsye e fortë dhe e mjaftueshme, këto vonesa pastaj bëhen raste të cilat ne i dërgojmë në prokurori për mos kryerjen e obligimeve ligjore me kohë.
Radio Kosova: Çfarë masa ligjore mund të ndërmerren në këto raste?
Yll Buleshkaj: Ligji është shumë i qartë, parasheh edhe gjobë edhe dënim me burg për ata të cilët nuk e bëjnë ose janë vonuar me deklarimin e pasurisë.
Radio Kosova: Sa mund të jenë gjobat?
Yll Buleshkaj: Gjobat, varësisht nga rasti. Gjobat jepen nga gjyqësori. Ato lëvizin dhe mund të shkojnë në disa mijëra euro. Nga informatat që kemi ne, gjyqësori nuk është që ka shprehur gjobat maksimale, për shkak se ka marrë parasysh me gjasë, masat lehtësuese. Por, gjithmonë gjobat janë të mëdha, kur e dimë se mund të jenë për ndonjë lëshim jo shumë të madh, për lëshime ndoshta teknike.
Radio Kosova: Unë, deri sa po përgatitesha për këtë intervistë, pashë një vendim që për deklarim të pasurisë me vonesë një zyrtar është gjobitur me vetëm 50 euro. A mendoni se është një dënim i atillë që nxit të tjerët të mos e bëjnë deklarimin me kohë?
Yll Buleshkaj: Fillimisht nuk do të doja të komentoj vendimet e gjyqësorit. Atë që mund ta them është se me siguri edhe gjyqësori kur merr vendime i shqyrton masat lehtësuese. Po besoj se në çdo rast, ndonjë lëshim i bërë nga ndonjë ta zëmë asamblist i ndonjë komune të vogël që edhe të hyrat nga shteti mund t’i ketë shumë të vogla, nuk do të jetë rast i njëjtë me dikë tjetër që të hyrat i ka shumë më të mëdha dhe ka një ekip prapa tij që e përkrahë, qoftë këshilltar politik apo edhe përkrahje të tjera teknike e që do t’i ndihmonte të bënte deklarimin me kohë. Me siguri edhe gjyqësori i ka marrë këto masa lehtësuese. Por sido që të jetë, nuk kisha dashtë të komentoj më shumë, pasi është në diskrecionin e secilit gjyqtar që të marrë vendimin sipas ligjit.
Radio Kosova: Zotëri Buleshkaj, ndër vite, ka raste kur zyrtarët publikë kanë bërë deklarim të rremë të pasurisë, cilat janë masat ndëshkimore më të lehta dhe më të rrepta që mund të ndërmerren në këto raste?
Yll Buleshkaj: Dënimi me burg deri në 5-6 vite dhe dënimet me gjoba janë masat që ndërmerren ndaj atyre që kanë bërë deklarim jo të saktë të pasurisë. Kemi plotë raste në gjyqësor që janë duke u trajtuar për mos deklarim të saktë të pasurisë. Prapë nuk kisha pasur dëshirë që të hyjë në punën e gjyqtarëve dhe vendimet e tyre, por besoj se dënimet janë mjaft të mëdha, qoftë edhe nëse merret vendim nga gjyqësori për dënim me kusht, pasojat juridike janë mjaft të rrepta. Po marr një shembull të thjeshtë, në qoftë se një asamblist i një komune të caktuar dënohet qoftë edhe me dënim me kusht apo vërejtje gjyqësore, atij asamblisti për tri vitet e ardhshme i pamundësohet certifikimi për të qenë kandidat. Çka do të thotë se nga një lëshim që fillimisht iu duket i vogël, pasojat mund të jenë mjaft të mëdha duke i pamundësuar certifikimin si kandidat për asamble, duke ia pa mundësuar zgjedhjen në pozitën aktuale.
Radio Kosova: Sipas Nenit 430-të të Kodit Penal të Kosovës, mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare përbën vepër penale. Nga deklarimet e vitit 2021, në sa raste Agjencia kundër Korrupsion ka konstatuar shkelje të tilla dhe çka ka pasuar?
Yll Buleshkaj: Në vitin e kaluar, sipas statistikave që i kemi, janë diku rreth 140 raste të cilat janë dërguar në prokurori për shkelje të tilla apo edhe të ngjashme, ndërsa këtë vit janë edhe 60 të tjera.
Radio Kosova: Cili është bashkëpunimi ndërmjet Agjencisë kundër Korrupsionit dhe Prokurorisë. Sa jeni të kënaqur me bashkëpunimin?
Yll Buleshkaj: Bashkëpunimi deri më tani mund të them se ka qenë i mirë dhe korrekt. Atë që e kam vërejtur është se rastet që dërgohen nga Agjencia, brenda një afati shumë të shkurtër delegohen te prokurorët, të cilët pastaj janë përgjegjës për t’i trajtuar ato. Nga ajo që kam vërejtur është se brenda një jave ose dy javëve rastet i barten prokurorit përgjegjës. Do të thotë, nuk mund të them se kam ndonjë vërejtje për bashkëpunimin e deritanishëm, deri në këtë kohë, për këta tre muajt e parë. Por, besoj se edhe në të kaluarën nuk ka qenë i keq. Ne gjithmonë kemi dëshirë që rastet tona të trajtohen me prioritet, ashtu si e kërkon edhe ligji. Por, ndonjëherë ndoshta edhe vonohen. Përvoja ime është që rastet i dërgohen direkt prokurorit përgjegjës për zonën që e mbulon, e pastaj trajtimi është në diskrecion të prokurorit për të vendosur për rastin nëse do të hidhet poshtë apo procedohet në gjyqësor.
Radio Kosova: Edhe për fund, i nderuar Buleshkaj, Agjencia kundër Korrupsionit këtë javë ka dorëzuar kallëzim penal në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, kundër ministres së Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari. Pse është ndërmarrë një hap i tillë dhe ku është kundërligjshmëria në këtë rast?
Yll Buleshkaj: Ky rasti i ministres Hajdari ndërlidhet me vitin 2020, me mosdeklarim të pasurisë me kohë, në kohën kur e ka marrë detyrën si ministre. Do të thotë është një rast i vjetër, por që, për shkak të dështimit të dërgimit të formularit me kohë, ashtu siç e parasheh ligji, Agjencia e ka dërguar rastin e saj në prokurori.
Radio Kosova: Edhe çka mund të ndërmarrë ndaj saj prokuroria. Cilat janë masat e parapara me ligj?
Yll Buleshkaj: Fillimisht prokuroria nuk e jep verdiktin final. Prokuroria mund të vendosë për këtë rast se çka do të bëjë. Mund të vendosë ta dërgojë në gjyqësor këtë rast. Por, mund të vendosë edhe që ta hedhë poshtë për shkak të mungesës së dëshmive apo gjërave të tjera. Kështu që janë dy opsione që i ka prokuroria, pas shqyrtimit të dëshmive. Ne i kemi përcjellë në prokurori të gjitha dëshmitë që i kemi, ashtu siç i kam gjetur kur kam ardhur këtu. Po besoj se trajtimi qoftë nga prokuroria, qoftë nga gjyqësori, do të jetë i drejtë për secilin rast, duke përfshirë edhe rastin e ministres./SyriKosova
Discussion about this post