Shëndetësia ngelet “molla e kalbur” e qeverisë Rama përsa i përket tenderëve problematik dhe rasti i fundit me numër REF-19623-02-14-2022 ku përfshihet mirëmbajtja e dy skanerave të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” me vlerë 256 milionë lekë të vjetra pa TVSH.
Skanerat e QSUNT kanë një histori të gjatë me kompaninë Montal shpk në pronësi të Skënder Lufit sepse para dy vjetësh Ministria e Shëndetëisë programoi blerjen e një skaneri që do realizohej në vitin 2020, por procesi u stërzgjat nga ankesat e kompanive pjesëmarrëse në garë.
Blerja e skanerit me vlerë 1.17 milionë euro pa TVSH, iu besua në gusht 2020 kompanisë Montal shpk. Por dy kompanitë e tjera në garë Health &Light shpk dhe BNT Electronics shpk bënë ankesë në Komisionin e Prokurimit Publik në korrik të vitit 2020, për modifikimin e kritereve teknike nga Ministria e Shëndetësisë, pasi favorizonin kompaninë fituese Montal shpk.
KPP-ja vendosi të pranojë pjesërisht ankesat dhe në shtator të vitit 2020 gara u përsërit. Në të morën pjesë 8 kompani, por sërish u shpall fituese kompania Montal shpk me vlerë 810 mijë Euro, që ishte 22% më e lartë se oferta e kompanisë tjetër garuese “Medfau” prej 650 mijë eurosh.
Kompanitë pjesëmarrëse Medfau dhe BNT Elektronics u ankuan sërish në Komisionin e Prokurimit Publik. KPP-ja vendosi për së dyti anullimin e garës, duke i kërkuar Ministrisë së Shëndetësisë të ofrojë garë të hapur dhe me kritere logjike.
Kjo procedurë ka vonuar për dy vjet instalimin e skanerit, duke sjellë shërbim të cunguar ndaj pacientëve.
Por shëndetësia i ka dhënë zgjidhje problemit të ankesave sepse Montal shpk ka fituar tenderin “Mirembajtje Full-Risk e pajisjeve mjekesore prodhues GE (ose ekuivalent), per nevojat e QSUNT per 24 muaj” pa patur asnjë konkurrent pjesëmarrës duke shpallur automatikisht fituese kompaninë e Skënder Lufit.
Por tenderat e dyshuar për sjellje korruptive kanë dalë në dritë sepse ka patur ankesa nga operatorët pjesëmarrës pasi nga kërkimet tona rezultoi se kompania Montal shpk ka përfituar 202 tendera me vlerë rreth 8,8 milionë euro ku nga115 tendera janë skualifikuar konkurrentët ose ka mungesë konkurrence për periudhën 2016-2021. Sipas “openprocurement.al” këta tendera rezultojnë me flamur të kuq duke përforcuar dyshimet se fituesi është paracaktuar. Vlera e tyre shkon rreth 5,4 milionë euro, më shumë se gjysma e të gjithë shumës së fituar gjatë këtyre viteve nga Montal shpk.
Kompania në fjalë ka fituar të paktën 8 tendera me procedurën me negocim, procedurë e cila është cilësuar nga kryeministri Edi Rama “kancer që ha lekë”. Këtë deklaratë Rama e ka bërë në mbledhjen e 9 korrikut 2021 me kryetarët e bashkive për paketën e re për prokurimet publike ku kërkonte heqjen e kësaj procedure.
Deri më sot nuk ka asnjë reagim apo veprim nga Agjencia e Prokurimeve Publike në lidhje me procedurat me negocim që i kanë kushtuar arkës së shtetit miliona lekë pa llogaritur shtesat apo tenderat me flamur të kuq që janë pjesë e historikut të kompanisë në bashkëpunim me institucionet e shëndetësisë.
Discussion about this post