Bashkia e Tiranës vazhdon traditën e tenderave pa garë ku tenderi i radhës me vlerë 16 milionë lekë të vjetra pa TVSH, i organizuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Pastrimit dhe Gjelbërimit ka shpallur fituese kompaninë me emrin e personit fizik Besnik Meçi.
Për tenderin me numër REF-24822-04-12-2022 është hapur thirrja në 13 Prill dhe në 29 Prill është shpallur automatikisht fituese kompania në fjalë, e cila nuk ka pasur asnjë kompani që ta konkurrojë duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si vepron DPPGJ-ja me fondet publike.
Open Data Albania e ka renditur automatikisht me flamur të kuq procedurën pasi mungesa e konkurrencës sjell dyshime për korrupsion dhe favorizim kompanie e cila dëmton fondet e grumbulluara nga taksat e qytetarëve.
Por dyshimet e Open Data përforcohen kur fillojmë e verifikojmë dokumentat e kontratës e cila ka si objekt “Shërbime mirëmbajtje aparateve, pajisjeve teknike dhe vegla pune” ku zbulohen pajisje dhe vegla të cilat nuk janë në koherencë me politikat për gjelbërimin e Tiranës nga Veliaj. Konkretisht te dokumentat gjenden 13 motorsharra të cilave do t’u kryhet një shërbim për ti rinovuar.
Zbulimi është skandal më vete sepse kryetari i bashkisë Erion Veliaj ka premtuar që pemët do të shtohen në kryeqytet, madje ka bërë deklaratë hiperbolike për të ndërtuar pyllin orbital apo mbjelljen e 2 milionë pemëve në vitin 2016 kur në fakt bashkia ka motorsharra që përdoren për të prerë pemët. Motorsharrat jo vetëm që rrëzojnë propagandën pa kripë dhe shije bashkë me pemët që po zhduken dita-ditës, por përforcojnë faktin se Tirana është kthyer në një kantier ndërtimi ku çdo metër katror pa beton paraqet kërcënim dhe si i tillë duhet të përvetësohet për të ngritur kulla apo pallate.
Duke harruar për një moment faktin se motorsharrat janë përdorur në të shkuarën, ngrihet pyetja tjetër, kujt i hyjnë në punë motorsharrat e reja? Kush kërkon të përdorë motorsharra dhe për çfarë? Dihet që motorsharrat janë për të prerë pemët, ndoshta kryetari mund të shfajësohet dhe të deklarojë se përdoren për pemë të kalbura apo që i rrëzon era por 10 motorsharra janë shumë. Janë shumë sepse fatkeqësisht kryeqyteti është kthyer në një zonë që nuk ka asnjë lidhje me gjelbërimin ku betoni mbulon tokën dhe dita-ditës kullat në qendër po bllokojnë pamjen panoramike nga Dajti. Madje i vetmi vend përveç liqenit ngelen pjesët anës lumit të Lanës të cilat mbartin erën e keqe nga shkarkimi i ujërave të zeza.
Dyshimet e tjera lidhen me historikun e kompanisë e cila nuk e ka herën e parë që merr tendera pa garë ku nuk kanë munguar denoncimet nga Gijotina.com. Kompania e Besnik Meçit ka marrë pjesë në 121 tendera të zhvilluara nga bashkitë në të gjithë vendin duke fituar 120 prej tyre me vlerë 1,2 milionë euro ku 480 mijë euro rezultojnë me flamur të kuq nga Open Data me dyshime për korrupsion.
Discussion about this post